Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 67%
  • Zonat malore 33%
  • Qendrat historike 0%

Pas skandalit të Facebook, një kompani e re i zë vendin në “klubin e trilionerëve”

Nga A2 CNN
26 Tetor 2021, 13:45 | Ekonomi

Kompania e Elon Musk, Tesla, është bërë e gjashtë në botë që arrin vlerën e 1 trilion dollarëve. Vlera e aksioneve të kompanisë u rrit me 12% të hënën, ku një aksion u shit për 1025 dollarë, falë dy lajmeve të mira: Kompania e makinave me qira, Hertz, shpalli se kishte porositur 100 mijë mjete për flotën e saj, si dhe vendimi i analistit të makinave Adam Jonas për të shitur me 1200 dollarë aksionet e tij te Tesla.

Kompania me vlerën më të madhe në botë mbetet gjithsesi Apple, me 2,5 trilionë dollarë. Në vend të dytë, vjen Microsoft, me vlerë 2,3 trilionë dollarë. Ndërsa kompanitë e tjera që bëjnë pjesë në “klubin e trilionerëve” janë kompania mëmë e Google, Alphabet, që vlen 1,8 trilionë dollarë, dhe Amazon, që vlen 1,7 trilionë dollarë. Edhe Facebook ishte pjesë e kësaj liste deri të hënën, por pas skandalit të publikimit të dokumenteve të brendshme, vlera e saj ra në 927 miliardë dollarë.

Tesla është kompania e dytë që e ka arritur më shpejt këtë vlerë, vetëm 12 vite pas futjes në bursë. Vetëm Facebook e ka kaluar më shpejt këtë “finish”, 9 vite nga dalja në tregjet publike. Apple është kompania së cilës i është dashur më shumë të arrijë vlerën e 1 trilion dollarëve, plot 33 vite. Amazon te Jeff Bezos-it iu deshën 21 vite, ndërsa Google për 15 vjet.

Kjo arritje e bën Tesla-n kompaninë e prodhimit të makinave më të vlefshme në botë, me diferencë të madhe nga ndjekësit. Për krahasim, në vend të dytë ndodhet Toyota, vlera e së cilës arrin në 280 miliardë dollarë. Vitin e kaluar Tesla shiti 500 mijë makina në të gjithë botën, ndërsa këtë vit, deri tani ka shitur 627 mijë të tilla dhe synon ta mbyllë 2021-shin me 1 milion makina të shitura.

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani