Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 50%
  • Zonat malore 50%
  • Qendrat historike 0%

Projektbuxheti i vitit 2022 me 100 miliardë lekë deficit, shëndetësia merr “pjesën e luanit”

Nga A2 CNN
26 Tetor 2021, 13:33 | Ekonomi
Projektbuxheti i vitit 2022 me 100 miliardë lekë deficit,

Qeveria ka depozituar projektligjin për buxhetin e vitit 2022, i ndërtuar bazuar te një parashikim për rritje ekonomike në 4,1% për vitin e ardhshëm, sipas ministres së Financave, Delina Ibrahimaj.

Në total, për vitin e ardhshëm, të ardhurat janë parashikuar që të jenë në gati 537 miliardë lekë, ose 4,4 miliardë euro, me një rritje prej 47 miliardë lekësh krahasuar me vitin 2021. Sipas dokumentit të depozituar në Kuvend, këto të ardhura shtesë janë parashikuar të mblidhen nga rritja e shumës së TVSH-së së arkëtuar, për shkak të ecurisë së ekonomisë dhe rritjes së përgjithshme të çmimeve, por edhe nga rritja e arkëtimeve nga akciza e duhanit dhe naftës.

Nga ana tjetër, shpenzimet janë parashikuar në nivelin e 637,6 miliardë lekëve, ose 5,2 miliardë euro, shifër gjithashtu më e lartë se viti i kaluar.

Kësisoj, deficiti buxhetor është parashikuar të jetë 100,8 miliardë lekë, ose 800 milionë euro. Për të mbuluar këtë deficit, qeveria ka parashikuar që të sigurojë para shtesë përmes huamarrjes neto nga burime të brendshme deri në kufirin maksimal prej 50 miliardë lekësh. Ndërsa pjesa tjetër e financimit të deficitit faktik të buxhetit të shtetit financohet nëpërmjet huamarrjes neto nga burime të huaja, si dhe ndryshimit pakësues ose shtues të gjendjes së llogarisë unike të Këshillit të Ministrave në Bankën e Shqipërisë.

Në total, investimet publike do të jenë 119 miliardë lekë, më të ulëta se 2021, kjo edhe për shkak të përfundimit të procesit të rindërtimit pas tërmetit të vitit 2019.

Nga ana tjetër, në projektbuxhet nuk është parashikuar të ketë rritje të pensioneve, vetëm indeksimin me vlerë 148,8 miliardë lekë total. Por për herë të parë, është parashikuar në dokument një shpërblim prej 5000 lekësh për pensionistët për fundvit.

Pjesën më të madhe të parave është parashikuar ta marrë Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, rreth 77 miliardë lekë.

Kryetari i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, njoftoi në Facebook se shqyrtimi i projektbuxhetit do të bëhet në datat 15, 16 dhe 26 nëntor 2021, me konsensusin e të gjitha grupeve parlamentare.

A2 CNN Livestream

Ditari nga Bruna Çifligu