Gjykata refuzon kërkesën për lirim të prokurorit, i jep vetëm një muaj leje

Përditësuar më: 27/10/2021, ora 12:40
prokurori 1024x576

Gjykata refuzon kërkesën për lirim të prokurorit, i jep vetëm një muaj leje

Përditësuar më: 27/10/2021, ora 12:40

Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar refuzon kërkesën e prokurorit të Vlorës, Maksim Sota, për ndryshimin e masës së sigurimit “arrest shtëpie”.

Sota, aktualisht i pezulluar nga detyra, po hetohet nga SPAK për “shpërdorim të detyrës”. Emri i tij është lakuar nga dy prej bashkëpunëtorëve të drejtësisë në dosjen “Shpirti”, sipas të cilëve prokurori kishte qëndruar në Vlorë në një banesë, qiraja e të cilës paguhej nga një prej të akuzuarve për trafik droge.

Në të njëjtin vendim, GJKKO i jep një muaj leje lëvizjeje Sotës, për nevoja të kujdesit shëndetësor të një familjari.

Dyshimet e SPAK mbi prokurorin Sota u ngritën pas deklarimeve të bashkëpunëtorëve të drejtësisë të dosjes “Shpirti”, sipas të cilëve prokurori kishte qëndruar në një shtëpi, qiraja e së cilës ishte paguar nga Ilirjan Duçellari (Zaimi).

Po sipas dëshmive, prokurori kishte dijeni se Duçellari ishte përfshirë në trafik narkotikësh. Në dosjen e siguruar nga A2 CNN, sqarohet dhe përfshirja e prokurorit të Vlorës, Maksim Sota në këtë çështje.

Sipas dëshmisë së bashkëpunëtorit të drejtësisë, Mariglen Shusha, drejtuesi i grupit kriminal që merrej me trafikun e drogës Ilirjan Ducellari ( Lani ), ndihmonte pjesëtarët e tjerë kur kishin probleme me ligjin, duke paguar dhe të gjitha shpenzimet e tyre që do t’i nevojiteshin për procesin.

Këtu del dhe roli i prokurorit Sota i cili gjithashtu merrte para për të ndihmuar anëtarët e grupit që do të duhej të përballeshin me agjencitë ligjzbatuese për shkak të aktivitetit të tyre kriminal.

Mes të tjerash, në dosje thuhet se kreu i grupit Ilirjan Ducellari, kishte marrë me qira dhe një banesë ku kishte qëndruar i penduari i drejtësisë Shusha bashkë me prokurorin Sota.