Komisioni hetimor për zgjedhjet, Alibeaj: Socialistët bojkotuan 3 herë, duan të vendosin pengesa

Përditësuar më: 27/10/2021, ora 15:15

Komisioni hetimor për zgjedhjet, Alibeaj: Socialistët bojkotuan 3 herë, duan të vendosin pengesa

Përditësuar më: 27/10/2021, ora 15:15

Enkelejd Alibeaj, kryetari i Komisionit Hetimor për zgjedhjet e 25 prillit, deklaroi para mediave se socialistët e bojkotuan 3 herë mbledhjen e sotme të komisionit.

“Kanë bojkotuar 3 herë për të penguar punën e komisionit. Madje, Kuvendi ndërpreu edhe sinjalin televiziv, që ndërpritet vetëm kur përfundojnë punimet e komisionit”, u shpreh Alibeaj.

“Sot duhej hetuar veprimtaria e patronazhistëve, u paraqit panorama e plotë e punës së tyre, u paraqitën të dhënat lidhur me shpërdorimin e parasë publike… Por, kjo është mënyra se si pushteti kërkon të vendosë pengesa për funksionimin e çdo komisioni hetimor”, shtoi deputeti demokrat.

Debatet në lidhje me miratimin e rregullores u bënë sërish shkak i largimit të mazhorancës nga punimet e komisionit.

Deputetët demokratë vijuan mbledhjen, ndërsa kolegët e tyre socialistë u rikthyen në sallë vetëm për disa minuta, për t’u larguar përfundimisht menjëherë më pas.

Pas largimit të socialistëve, kryetari i komisionit, Enkelejd Alibeaj, debatoi me ish-kryetaren e KQZ, Lefterie Luzi, e cila është aktualisht drejtoreshë e shërbimit në Kuvend. Ajo kërkoi mbylljen e mbledhjes për shkak të mungesës së kuorumit dhe ndërprerjen e sinjalit, por kjo kërkesë u refuzua nga Alibeaj, i cili urdhëroi punonjësit e Gardës që të nxirrnin jashtë zonjën Luzi.

Pavarësisht largimit të Luzit, Kuvendi ndërpreu transmetimin e mbledhjes së komisionit, për shkak se sipas saj, mungonte kuorumi për vijimin e mbledhjes pas largimit të deputetëve socialistë.

Por në një njoftim për mediat, PD tha se do të vijojë mbledhjen dhe do ta transmetojë live përmes llogarisë së saj në Facebook.