“Korrupsion” e “shkelje barazie në tenderë”, SPAK kërkon burg për ish-drejtorin e burgut dhe 5 ish-zyrtarë

Përditësuar më: 27/10/2021, ora 16:25

“Korrupsion” e “shkelje barazie në tenderë”, SPAK kërkon burg për ish-drejtorin e burgut dhe 5 ish-zyrtarë

Përditësuar më: 27/10/2021, ora 16:25

SPAK i kërkon Gjykatës së Posaçme të kthejë në qelitë e burgut, ish-drejtorin e burgut 313 në kryeqytet, Eduart Strugaj. Sipas prokurorit të Posaçëm Altin Dumani, Strugaj duhet të shpallet fajtor për akuzën e “korrupsionit” dhe të dënohet me 4 vite burg dhe 5 vite heqje të drejtës për të ushtruar funksione publike.

E njëjta masë dënimi u kërkua edhe për ish-vartësin e tij, Florin Ahmetajn, ish-shef i logjistikës në 313. Sipas SPAK, Strugaj dhe Ahmetaj në vitin 2020 kanë kërkuar dhe marrë në formë ryshfeti në dy episode një total prej 557 mijë lekësh të rinj, për të lejuar një biznesmen të vendoste makineta kafeje brenda ambienteve të burgut.

Njëkohësisht ata dyshohet se kanë marrë ryshfet nga i pandehuri Ervin Kurtulla, në këmbim të një kontratë për shfrytëzimin e një dyqani brenda burgut.

Për Kurtullën, SPAK kërkoi 3 vite burg, ndërsa për të tretë pandehurit i kujtoi gjykatës uljen e një të tretës për shkak të gjykimit të shkurtuar.

Në një çështje tjetër penale, SPAK kërkoi dënimin me nga 8 muaj burg për Mimoza Zyberin, Anila Ballhysën dhe Argita Beqirin dhe përfundimisht lënien e tyre në shërbim prove për 2 vite.

Ato akuzohen për “shkelje të barazisë në tenderë” dhe “falsifikim të dokumenteve” për dy procedura tenderues me fond limit 500 mijë dhe 1.5 milionë lekë në spitalin e Elbasanit.

Sipas SPAK, në cilësinë e anëtarëve të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, ato kishin favorizuar një nga kompanitë garuese.