Nuk ka rritje të infektimeve në shkolla, masat shkelen nga prindërit

Përditësuar më: 27/10/2021, ora 14:46

Nuk ka rritje të infektimeve në shkolla, masat shkelen nga prindërit

Përditësuar më: 27/10/2021, ora 14:46

Një muaj nga nisja zyrtare e mësimit, situata epidemiologjike në shkolla duket e qetë. Deri tani, nuk ka rritje të infektimeve nga koronavirusi tek moshat pediatrike.

Ekspertët thonë se gjendja nuk është shqetësuese, ndoshta për faktin se një pjesë e fëmijëve mund ta kenë kaluar virusin në verë.

Shefja e infektivit të pediatrisë, njëherësh eksperte e Komitetit Teknik, Gjeorgjina Kuli, thekson rëndësinë e respektimit të masave antikoronavirus, veçanërisht në dimër. Por, nëse brenda shkollave, fëmijët janë zbatuesit më të mirë të rregullave, sapo dalin, gjithçka prishet nga prindërit dhe gjyshërit e tyre.

Ndërkaq, në qendrat shëndetësore dhe veçanërisht në urgjencën e pediatrisë është shtuar fluksi i fëmijëve me viroza të stinës. Ende nuk janë izoluar raste me grip, por ekspertët paralajmërojnë një dimër të vështirë, për shkak të qarkullimit të koronavirusit dhe gripit së bashku.  

Në pavijonin e pediatrisë infektive janë të shtruar 11 fëmijë me koronavirus, nga të cilët 3 në gjendje më të rënduar për shkak edhe të sëmundjeve të lindura.

Ndërkaq, një i mitur 5-vjeçar me shumë sëmundje të tjera nuk mundi t’i mbijetojë komplikacioneve që i shkaktoi Covid-i, duke shënuar këtu viktimën e dytë te moshat pediatrike që nga fillimi i pandemisë.