Pandemia në Brazil, senatorët mbështesin akuzat kundër Bolsonaros

Përditësuar më: 27/10/2021, ora 13:24

Pandemia në Brazil, senatorët mbështesin akuzat kundër Bolsonaros

Përditësuar më: 27/10/2021, ora 13:24

Senatorët brazilianë votuan pro inkriminimit të presidentit Jair Bolsonaro, lidhur me mënyrën se si e menaxhoi pandeminë katastrofike të Covid-19. Një panel hetimor i senatit, mbështeti raportin që kërkonte ngritjen e akuzave ndaj Bolsonaros, përfshirë për krime kundër njerëzimit, pas 600 mijë vdekjeve të shënuara nga koronavirusit.

“Raporti miratohet me 7 vota pro dhe 4 kundër. Komisioni hetimor i senatit Brazilian, pas 6 muajsh e përfundon punën e tij, me raportin e hartuar nga senatori Renan e që u miratua me shumicë bindëse. Tani kalojmë në një fazë të re në mënyrë që t’u japin drejtësi popullit të Brazilit”, thotë senatori Omar Aziz.

U deshën rreth 6 muaj për përgatitjen e raportit prej 1300 faqesh nga komisioni i kontrolluar prej opozitës, e në të pretendohet se 77 persona të tjerë dhe 2 kompani kanë kryer krime. Mes tyre, guvernatori i shtetit të Amazonës, ku mungesa e oksigjenit në spital rezultoi në vdekje nga asfiksia më herët gjatë vitit. 

Nuk ka garanci se vota do të çojë në ngritjen e akuzave kriminale pasi rekomandimet e raportit do të vlerësohen tani nga kryeprokurori Augusto Aras, i cili pritet t’i dalë në mbrojtje presidentit.

Bolsonaro ka minimizuar vazhdimisht pandeminë, dhe refuzoi të sakrifikonte ekonominë përballë shifrave rekord të vdekjeve e infektimeve.