Përfundon rindërtimi i të gjitha shkollave, Ahmetaj: Në dyvjetorin e tërmetit do të shpërndahen 1050 banesa

Përditësuar më: 27/10/2021, ora 14:30
27 TETOR MBLEDHJA E QEVERISE frame 12276 1024x576

Përfundon rindërtimi i të gjitha shkollave, Ahmetaj: Në dyvjetorin e tërmetit do të shpërndahen 1050 banesa

Përditësuar më: 27/10/2021, ora 14:30

Zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj ka njoftuar se ka përfunduar rindërtimi i të gjitha shkollave të dëmtuara nga tërmeti i dy viteve më parë dhe tashmë i kalojnë nën administrim bashkive. Në një deklaratë pas mbledhjes së qeverisë ai tha se ky muaj do të jetë shumë i rëndësishëm për familjet e dëmtuara nga tërmeti, pasi në prag të dyvjetorit të tërmetit do të shpërndahen 1050 apartamente dhe njësi individuale.

“Një vendim shumë i rëndësishëm sapo filloi. Procesi i kalimit të shkollave në pronësi të bashkive, përfundim i një numri të madh të shkollave të rindërtuara që i kalojnë qytetarëve dhe bashkive për administrim. Ky muaj do të jetë shumë i rëndësishëm për procesin e rindërtimit për familjet e dëmtuara nga tërmeti. Kemi procesuar për të kaluar shtëpi, njësi individuale dhe apartamente në shumë zona të vendit”.

Shpërndarja e banesave, theksoi ai do të jetë sipas listës prioritare që do të jetë e menjëhershme dhe me short publik për pjesën tjetër.

“Shpërndarja sipas listës prioritare që janë familje me ndihmë ekonomike, nëna kryefamiljare, apo policë të vrarë. Shpërndarja bëhet menjëherë për këto familje kurse për të tjerët do të bëhet me short publik. Është detyrim dhe përgjegjësi e bashkive që të organizojnë shortet publike transparente për të shpërndarë të gjitha apartamentet dhe njësitë individuale. Mes 20-26 nëntorit do të shpërndahen 1050 apartamente dhe njësi individuale. Nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit janë shpërndarë 1100 njësi individuale dhe janë dhënë grante për familjet e dëmtuara”.

Ahmetaj deklaroi se ky proces do të vijojë edhe në dhjetor dhe gjatë gjithë vitit tjetër deri në shtator me shpërndarjen në të gjithë territorin.