Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 50%
  • Zonat malore 33%
  • Qendrat historike 17%

Taulant Muka: Doza e tretë për grupet e rrezikuara, të kalojmë nga nocioni i të infektuarve tek ai i shtrimeve spitalore

Nga A2 CNN
27 Tetor 2021, 14:26 | Aktualitet
Taulant Muka: Doza e tretë për grupet e rrezikuara, të

Diskutimet mbi imunizimin kundrejt vaksinës dhe atij natyral vijojnë të monopolizojnë debatet mbi pandeminë e koronavirusit.

Epidemiologu Taulant Muka bën një qartësim. “Virusi ka 29 proteina dhe kur infektohesh merr 29 antitrupa, ndërkohë që me vaksinën merr vetëm një nga proteinat e virusit që krijon një antitrup, pra normalisht imuniteti natyral të jep një imunitet, por unë them që qytetarët dhe në veçanti ato me sëmundje shoqëruese të vaksinohen dhe më pas të infektohen, sepse vaksinimi shmang rastet më të rënda dhe vdekjen”, thotë ai për A2 CNN.

Epidemiologu është i bindur se në popullatën shqiptare mendohet që ka pasur një përhapje shumë të gjerë të infeksionit. Mundet ta kufizojë këtë përballje, doza e tretë?

Sipas tij, “duhet kuptuar se për dozën e tretë mungojnë të dhëna kritike. Në Shqipëri duhen bërë studime, të analizohen të dhënat, duhet parë se ku dhe në cilat grupmosha kanë ardhur këto vdekje, vaksina duhet të targetojë kryesisht persona që nuk janë infektuar, si dhe grupmoshat më të rrezikuara, që kanë sëmundje autoimune, obezitet etj”.  

Ndërkohë që parashikohet një valë e radhës, edhe po të ndodhë do të paraqitet ndryshe. “Duhet të kalojmë nga nocioni i infeksionit te shtrimet spitalore. Personalisht nuk e shoh situatën alarmante, por kjo nuk do të thotë që nuk duhen mbajtur masa, veçanërisht ndaj grumbullimeve të mëdha”.

Vaksinimi po shndërrohet praktikisht në detyrim për shumë kategori sociale, veçanërisht për të rinjtë, studentët.

“Vendosja me detyrim e vaksinës për të aksesuar në universitet është e gabuar, sidomos në një shoqëri si ajo shqiptare që ka një dozë mosbesimi të theksuar, sidomos  për fajin sesi është e menaxhuar situata nga institucionet dhe politika. Kemi një shoqëri të ndarë në ato që hiperbolizojnë efektet e vaksinave dhe nuk pranojnë kritika, dhe atyre që i besojnë teorive konspirative”, shton epidemiologu, që thekson se në rastin e fëmijëve, në mungesë të dhënash të qarta afatgjatë, vendimi t’u lihet prindërve.   

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani