Vetingu i politikanëve, Rama: Të gatshëm të diskutojmë, PD objekt keqardhjeje

Përditësuar më: 28/10/2021, ora 09:55

Vetingu i politikanëve, Rama: Të gatshëm të diskutojmë, PD objekt keqardhjeje

Përditësuar më: 28/10/2021, ora 09:55

Pas takimit me drejtuesit e qarqeve në seli, kryeministri Rama u kursye për të dhënë informacione lidhur me mbledhjen, por shprehu gatishmërinë për të dëgjuar opozitën mbi vetingun e politikanëve.

“Do të ulemi me vullnet të mirë për çdo gjë që opozita do të diskutojë. Më 2018 ka pasur një propozim, që është konsideruar jo bindës. Nuk dimë gjë për propozimin e ri. Janë tre vite, në tre vite gjërat evoluojnë, argumentet po. Nëse ka argumente bindës, ne do bëjmë më të mirën. Do të ulemi në tryezë, do të japim gjithë disponimin për të dëgjuar, do dëgjojmë, do themi ato që mendojmë, do marrim mendimet e ekspertëve tanë të fushës dhe do arrijmë në konkluzione në mënyrë sa më civile”, u shpreh Rama.

I gatshëm, Rama u tregua dhe për të plotësuar kërkesën e opozitës për dëshmi në komisionin hetimor për zgjedhjet e 25 prillit.

“Nuk kam asnjë problem, unë nuk kam pasur një ftesë, por jam patjetër në dispozicion. Nuk kam asnjë problem për gjërat do më kërkohet për të thënë atë që unë kam për të thënë. Nuk kam probleme. Ai është një komision që është ngritur me kërkesën e opozitës. E dimë si kanë rrjedhur ngjarjet. Del për ditë e më e qartë se PD ka humbur zgjedhjet”.

Pretendimet e Berishës për rikthim në krye të demokratëve dhe gjendja aktuale e opozitës kanë ngjallur keqardhje te kryeministri. 

“Di t’ju them që nëse do ishin mbledhur humoristët dhe satiristët e këtij vendi që të shkruanin një pjesë me shumë seri, për se si PD mund të katandiset në një objekt keqardhje dhe humori të zi është ajo që po ndodh sot në PD”.

Drejtuesve të qarqeve, kryeministri u komunikoi dhe dakordësinë me Partinë Demokratike për ngritjen e  një Komisioni të Posaçëm për Reformën Zgjedhore.