Basha-Ramës: ODIHR të ka vënë vulën si Lukashenko i Ballkanit

Përditësuar më: 28/10/2021, ora 12:52
28 TETOR 2021 PARLAMENT frame 183729 1024x576

Basha-Ramës: ODIHR të ka vënë vulën si Lukashenko i Ballkanit

Përditësuar më: 28/10/2021, ora 12:52

Basha vijoi akuzat ndaj kryeministrit Edi Rama për zgjedhjet, ekonominë, varfërinë, vetingun në politikë dhe largimin e të rinjve jashtë vendit. Në replikën e radhës me të, Basha tha se raportet e ODIHR e kanë cilësuar kryeministrin shqiptar si Lukashenkon e Ballkanit dhe prandaj kërkon aleancë me Berishën dhe Metën.

“Asgjësimi i ndryshimit përmes patronazhistëve, shkrirja e shtetit me partinë, abuzimi me fondet e tërmetit dhe pandemisë, abuzimi me burime njerëzore, fryrja me 12 mijë anonimë, që ishin patronazhistë, shkatërrimi i rregullave të konkurrencës në treg. Këto janë konstatime të ODIHR që të kanë vënë vulën ty si Lukashenko i Ballkanit. Po Shqipëria nuk kthehet në Bjellorusi dhe nuk të pranon as ty, askënd të qeverisë së vendit si Lukashenko, po kërkon dëshpërimisht aleatë. Brenda shtëpisë tënde të ka ngelur një grusht, tek oligarkët më pak, tek ata që të dalin zot me kobure në xhep ka filluar t’iu rrëshkasë toka nën këmbë, edhe aty kopaçja do të kërcasë nuk i mbron dot as Veliu dhe as zëvendësuesi i tij. Përpjekja për të ndërtuar aleancë të pashenjtë me Trekëndëshin e Bermudës që të del nga barku sa herë që s’ke argumente, do të dështojë po ashtu”.

Për Bashën, kryeministri Rama ka vetëm një rrugë të tregojë pendesë për këto 8 vite qeverisje dhe të dalë në opozitë në të mirë të shqiptarëve.

“Ti ke vetëm një mënyrë; të pranosh që ke 8 vjet që e mban vendin peng të egos tënde të sëmurë. Të kërkosh ndjesë për jetët e humbura, për të rinjtë e larguar, për shpresën e vrarë, për ekonominë e rrënuar. Të tregosh pendesë për asgjësimin e themelit të bashkëjetesës demokratike që janë zgjedhje të lira e të ndershme. Të heqësh duart nga fyti i SPAK, të votosh vetingun në politikë dhe të lejosh që PS e marrë peng në bodrumet e oligarkisë të konkurrojë ndershëm me PD-në në një fushë beteje të barabartë, me përplasje idesh, vizionesh e programesh dhe si fillim të pranojë të paevitueshmen; daljen në opozitë si interesi më i mirë i shqiptarëve dhe pastrimi nga llumi i kriminelëve me të cilët ke ardhur dhe mban pushtetin”.

Kreu demokrat e akuzoi Ramën edhe për kontratat koncesionare të sjella në Kuvend, ndërkohë që nuk pranon uljen e TVSH-së për shqiptarët.

“Ndërkohë që me propozimin që keni sjellë këtu prapë se prapë keni propozuar që t’ju merrni para shqiptarëve për 7 kontrata koncensionare me vlerë 2 mld dollarë, PPP klientëve tuaj dhe nga ana tjetër thoni që s’keni ku gjeni paratë për të zbritur TVSH-në e ushqimeve nga 20% në 6% me kosto totale për buxhetin, 150 mln euro, për të ulur kostot e bukës, vajit sheqerit, të familjeve që ti viziton dhe shumica hanë vetëm njëherë në ditë. Ke sjellë prapë 7 kontrata koncesionare me vlerë 7 mld euro. Ky je ti, tjetra është fasadë, që këto fjalë të shuhen dhe SPAK të bëjë sikur nuk na ka dëgjuar dhe parë dhe ti e banda jote të vjedhësh dhe ky është plani yt. Të vjedhësh shqiptarët pastaj t’iu vjedhësh dhe votën nuk është thjesht ves, por krim që duhet ndëshkuar”.