
Helmimi në Krujë, debate PS-PD në nisje të seancës
Seanca parlamentare ka nisur me debate mbi helmimin e qytetarëve në Krujë nga uji.
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Alfred Rushaj, kërkoi që të ndryshohej rendi i ditës dhe të futej si pikë diskutimi edhe kjo çështje.
“Ka një ngjarje shumë të rëndë, që është verifikuar në Krujë, për shkak të ndotjes së ujit të pijshëm. Janë qindra qytetarë nga Kruja që janë detyruar të shkojnë në spital për të marrë ndihmën e shpejtë. Nga çfarë është verifikuar deri tani, rezulton që kemi të bëjmë me një papërgjegjshmëri dhe shkelje të ligjit në furnizimin me ujë të pijshëm të qytetarëve. Për këtë arsye, ne sapo paraqitëm kërkesën e firmosur nga 10 deputetë dhe kërkojmë të ndryshohet rendi i ditës dhe të vendoset si pikë e parë diskutimi për situatën emergjente të krijuar nga ndotja e ujit të pijshëm në Krujë”, deklaroi Rushaj.
Por, homologu i tij socialist, Taulant Balla, theksoi se kjo çështje nuk duhej politizuar, por duhen pritur hetimet nga institucionet përkatëse: “Policia dhe prokuroria po bëjnë të gjitha hetimet për t’i shkuar deri në fund kësaj ngjarjeje. Nuk e di që Kuvendi ka atribute të bëjë hetime penale apo hetime të karakterit mjekësor, pasi këto duhet t’i bëjnë autoritetet shtetërore. Besoj deri javën e ardhshme, qoftë ministrja e Shëndetësisë, qoftë ai i Brendshëm, apo edhe strukturat e tjera shtetërore, do të jenë në gjendje t’i bëjnë Kuvendit një informacion të plotë. Unë propozoj që ngjarje të tilla duhet sa më pak të politizohen dhe sa më shumë të hetohen”. Kreu i Kuvendit, Lindita Nikolla, e mbylli kështu debatin: “Nuk është koha që të vijojmë me ndryshim të rendit të ditës. Të vijojmë me rendin e ditës”.