Një vizitë larg, tetori rozë kundër kancerit të gjirit

Përditësuar më: 28/10/2021, ora 10:17

Një vizitë larg, tetori rozë kundër kancerit të gjirit

Përditësuar më: 28/10/2021, ora 10:17

Kanceri i gjirit është lloji më i përhapur i kancerit për gratë në të gjithë botën. Pavarësisht shifrave alarmante të vdekjeve, shumë prej grave të prekura arrijnë të mbijetojnë duke e fituar betejën me tumorin.

Diana Myrto është njëra prej tyre. Ajo mësoi se ishte me kancer gjiri në një moshë shumë të re, kur ishte vetëm 27 vjeç. Prej atij momenti, jeta e saj ndryshoi përgjithmonë. Diana iu nënshtrua një sërë ndërhyrjesh dhe trajtimesh mjekësore, me kosto të mëdha psikologjike, por dhe ekonomike, derisa mendoi se e fitoi luftën.

Por, vite më vonë, pasi u bë nënë e dy fëmijëve dhe kur mendonte se kanceri e kishte braktisur përfundimisht trupin e saj, Diana konstatoi se tumori ishte rikthyer. Beteja e saj për jetën nisi sërish. Pas një kalvari të gjatë ndërhyrjesh kirurgjikale dhe trajtimesh, sot Diana gëzon shëndet të mirë dhe ka mundësi të shohë fëmijët e saj teksa rriten. Ajo thotë me bindje se diagnostikimi i hershëm i shpëtoi jetën dhe është vendimtar në këtë luftë.

Por shumë gra duke u kujdesur për familjen, duke përmbushur detyrimet në punë apo edhe në pamundësi ekonomike, shpeshherë i neglizhojnë vizitat për kontrollin e gjirit. Nga ana tjetër, numri i grave që kryejnë mamografinë u ul ndjeshëm edhe për shkak të pandemisë. Të dhënat e siguruara nga Instituti i Shëndetit Publik tregojnë se numri i mamografive të realizuara në spitalet rajonale në vend u përgjysmua gjatë vitit 2020, krahasur me vitin 2019. Ky trend negativ solli vonesa në diagnostikimin e sëmundjes, duke ndikuar kështu në mënyrë të drejtpërdrejtë shanset për mbijetesë të pacientëve me kancer.

Mjekët, por dhe gra që janë përballur me këtë betejë, japin mesazhin se kapja e hershme e kësaj sëmundjeje të shpëton nga vdekja. Për këtë, muaji tetor i dedikohet ndërgjegjësimit për diagnostikimin e kancerit të gjirit. Me simbolin e fjongës rozë, në mbarë botën organizohen fushata për të promovuar rëndësinë e kontrollit të rregullt të gjirit, si mënyra më e mirë dhe e vetme për të shpëtuar jetë.

Statistikat flasin për një rritje të shifrave nga viti në vit. Vetëm gjatë vitit të shkuar, në vendin tonë u diagnostikuan 936 raste të reja, duke e bërë kancerin e gjirit më të përhapur se llojet e tjera, si kanceri i mitrës apo ai i mushkërive. Grupmosha 50 deri në 69 vjeç, është edhe ajo që mbart numrin më të lartë të rasteve. 260 gra humbën jetën nga ky kancer në vitin 2020. Këto shifra, mjekët i lidhin me stadin e vonë në të cilat diagnostikohet sëmundja në Shqipëri, çfarë është përcaktues për mbijetesën. Megjithatë, onkologët thonë se është ulur vdekshmëria nga ky lloj kanceri, por është rritur sëmundshmëria te moshat e reja.

Edhe pse faktorët e rrezikut për kancer gjiri janë të shumtë, ku më të zakonshmit janë seksi dhe mosha, historia familjare dhe personale, si dhe gjenetika, faktorët riprodhues dhe historia menstruale, rrezatimi i mëparshëm në gjoks dhe stili i jetesës. Pavarsisht kësaj, sipas Ministrisisë së Shëndetësisë, rreth 70% e rasteve të kancerit të gjirit ndodh te gra, të cilat nuk kanë faktorë që rrisin rrezikun për të zhvilluar kancer gjiri.

Nga ana tjetër, edhe pse kanceri i gjirit është kanceri më i shpeshtë te gratë, ai gjendet dhe te burrat. Zakonisht burrat diagnostikohen me kancer gjiri në moshën 60 dhe 70 vjeç, ndërsa simptomat janë të ngjashme me ato të grave. Mbështetja psikologjike te pacientët me kancer, ndonjëherë është po aq e rëndësishme sa dhe medikamentet që ata marrin.

Këto gra përballen me një sëmundje të rëndë, iu nënshtrohen një sërë terapish e ndërhyrjesh, pësojnë ndryshime fizike ku shpesh heqin gjinjtë e tyre ose iu bien flokët. Kjo dramë prek të gjithë familjen dhe përpos të tjerave ka edhe kosto të lartë ekonomike. Në muajin tetor, një fjongo rozë simbolizon besimin dhe dashurinë për jetën, dhe përpiqet t’i tregojë çdo gruaje se jeta e saj është e rëndësishme. Prandaj apeli i fortë i tetorit është një dhe vetëm një: të mos neglizhohen kontrollet te mjeku.