PD interpelancë me Ahmetajn për Spitallën: Fondi u tërhoq për spostimin e hidrovorit. Banorët i cilësuat çeçenë

Përditësuar më: 28/10/2021, ora 11:46
28 TETOR 2021 PARLAMENT frame 56647 1024x576

PD interpelancë me Ahmetajn për Spitallën: Fondi u tërhoq për spostimin e hidrovorit. Banorët i cilësuat çeçenë

Përditësuar më: 28/10/2021, ora 11:46

Deputeti i Partisë Demokratike, Ferdinand Xhaferraj, ka thirrur sot në një interpelancë zëvendëskryeministrin dhe ministrinë e Rindërtimit, Arben Ahmetaj. Ai i ka kërkuar Ahmetajt se pse nuk kanë nisur punimet në zonën e Spitallës në Durrës, rruga Miqësia dhe Azem Hajdari.

“I nderuar zoti Ahmetaj, Këshilli i Ministrave vendosi që të përdoret një fond për rikonstruksion në rrugën Miqësia-Azem Hajdari. Këto rrugë i shërbejnë të gjithë qytetit. Një muaj më pas, më 30 korrik, këshilli i Ministrave me VKM vendosi shfuqizim të vendimit 404, për përdorimin e këtyre fondeve. Në cilësinë e deputetit të qarkut Durrës, kam kërkuar zhvillimin e kësaj interpelance, për të parë mundësinë se si do të zgjidhej ky problem”.

Në përgjigje të tij Ahmetaj tha se njëra ka përfunduar si procedurë, në nëntor dhe tjera do të nisë në dhjetor.

“Shfuqizimi i vendimit të cituar nga ju, vjen si rezultat i harmonizimit të vendimeve të Këshillit të Ministrave, të lidhur me fondin e Abu-Dhabit për zhvillim. Në zonën e katërt, do të ndërtohen 996 apartamente. Zona e re në zhvillim, Spitalla, është shpallur me anë të vendimit të Këshillit të Ministrave. Sipas këtij vendimi është harmonizuar dhe me memorandumin e bashkëpunimit. Arsyeja e drejtpërdrejtë e ndryshimit është për të futur të dyja rrugët brenda një PDV-je, më të gjerë në mënyrë që të funksionojnë me mirë për qytetarët. Siç e thatë edhe ju me të drejtë, të dyja rrugët nuk janë thesit për përdorim të zonës, por janë lidhëse, kyçe, kritike, për të lidhur Spitallën me qytetin. Jemi para faktit se rrugët lidhëse që janë brenda konturit, do të ndërtohen dhe të rikontrukstohen nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, me financimin e buxhetit të shtetit. Është rialokuar nga buxheti, dhe për pak ditë më njofton Fondi Shqiptar i Zhvillimit do të lidhet kontrata e zbatimit për rrugën Miqësia dhe Azem Hajdari. Vetëm për këtë vit, janë akorduar 1.2 mld. Të dyja rrugët janë brenda buxhetit, fondit të rindërtimit, janë të financuara dhe do të bëhen. Njëra ka përfunduar si procedurë, në nëntor dhe tjera do të nisë në dhjetor”.

Por për Xhaferrajn fondi i rrugëve është tërhequr për spostimin e hidrovorit për llogari të Portit të Durrësit, dhe kjo sipas tij është afera më e rëndë. Ai gjithashtu akuzoi administratën për diskriminim të banorëve të kësaj zone.

“Problemi është më i rëndë dhe i thellë se në dhjetor 2020, dy shoqata i janë drejtuar komisionerit publik për mbrojtjen nga diskriminimi se zyrtarë të administratës i trajtonin me epitete çeçenë dhe komisioneri për mbrojtjen nga diskriminimi i drejtohet bashkisë në janar dhe shkurt 2021 dhe komisoneri nuk merr përgjigje nga bashkia. Kur arrini të diskriminoni komisionerin, imagjinoni qytetarët. Dhe komisioneri ka gjobitur bashkinë në mars se nuk jep informacion. Komisioneri për mbrojtjen nga diskriminimi kërkon informacion dhe nuk merr. E keni mbushur administratën me halabakë që shkarkon drejtorin e Hipotekës live si halabak dhe e emëron drejtor më pas në bashkinë e Durrësit. Kjo tregon që i vetmi zë që dëgjon qeveria juaj është zëri i ryshfetit. I vetmi zë që dëgjoni ju, është ai i oligarkëve. Ai fond është tërhequr nga bërja e rrugëve se ju keni dhënë 1.9 mln lekë për zonën e Spitallës që në të vërtetë është spostimi i hidrovorit. Spostimi i hidrovorit për Portin e Durrësit është afera më e rëndë”.