Reforma e re Zgjedhore, Celibashi pro: Sa më shpejt të nisë, aq më mirë

Përditësuar më: 28/10/2021, ora 19:32

Reforma e re Zgjedhore, Celibashi pro: Sa më shpejt të nisë, aq më mirë

Përditësuar më: 28/10/2021, ora 19:32

Ideja e një reforme të re zgjedhore, të propozuar nga Partia Demokratike, ka gjetur dhe mbështetjen e kryetarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi. Pas prezantimit të analizës për zgjedhjet parlamentare në qytetin e Korçës, kryekomisionieri deklaroi se sa më shpejt të nisë reforma, aq më mirë do të jetë për të gjitha palët. 

“Ka nevojë për të kryer një reformë zgjedhore sepse edhe ODIHR sugjeron ndryshime në Kodin Zgjedhor, por është e rëndësishme që kjo gjë të fillojë tani dhe është gjë e mirë që opozita e ka ndërmarrë këtë iniciativë pozitive dhe që shumica qeverisëse e ka mbështetur dhe kjo është pozitive. Shpresojmë që procesi të finalizohet sa më shpejt dhe të mos jemi në pozitën e herëve të tjera kur reformat zgjedhore kanë përfunduar 4,5,6 apo qoftë edhe 1 vit para zgjedhjeve”, u shpreh Celibashi.

I pyetur për shkeljet e komisionerëve të evidentuara nga procesi i rinumërimit në KQZ, Celibashi u shpreh se për këto raste do të ketë dhe kallëzime penale.

“Jemi në proces vlerësimi akoma të asaj se çfarë ka ndodhur gjatë procesit të numërimit të fletëve të votimit. Në përfundim të këtij procesi në rastet kur do të identifikohen qartazi shkelje të rënda të rregullave të procesit për numërimin e fletëve të votimit normalisht që do të ketë sanksione të karakterit administrativ, por edhe kallëzime penale kur këto shkelje tregojnë dukshëm deformimin e rezultatit të numërimit”, shtoi kreu i KQZ.

Në Korçë, Celibashi ishte në shoqërinë e kreut të OSBE-së në Shqipëri, Vicenzo De Monaco, i cili shprehu hapur mbështetjen e institucionit që drejton për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, si dhe gatishmërinë për të ndihmuar në zgjedhjet e ardhshme.