Udhëtime, shtëpi, llogari bankare në Maltë. Demokratët përplasen me Gjiknurin për inceneratorët

Publikuar më: 28/10/2021, ora 15:37

Udhëtime, shtëpi, llogari bankare në Maltë. Demokratët përplasen me Gjiknurin për inceneratorët

Publikuar më: 28/10/2021, ora 15:37

Përplasja e kryetarëve u pasua nga ajo e numrave 2. Sekretari i Përgjithshëm i demokratëve, Gazment Bardhi foli për inceneratorët, një skemën e cilësuar prej tij si mafioze ku rol kyç akuzoi se ka pasur edhe Damian Gjiknuri.

Homologut socialist i nxori një listë me 15 udhëtime ku sipas deputetit opozitar ish-ministri i Energjisë shoqërohej nga Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto, të cilët Bardhi i quan përfituesit kryesorë të inceneratorëve.

“Dokumentet tregojnë se ka udhëtuar dy herë brenda një muaji gjatë javës përpara miratimit të kontratës në qeveri, ku përgjegjës ishte Gjiknuri. Ke qenë ministër dhe ke firmosur miliona euro”.

Sekretari i Përgjithshëm i socialistëve i kërkoi të dërgojë materialin në SPAK. “Në ato kontrata ministria që unë kam drejtuar nuk kam asnjë rol. Për skemën nuk kam asnjë problem, çojeni në SPAK”, i tha Gjiknuri.

Por Bardhi kishte disa pyetje mbi njohuritë e Gjiknurit për Maltën, ku demokrati aludoi se fshihen miliona euro të përfituara përmes korrupsionit. “Sa herë ke bërë pushime në shtëpinë e përfituesit të inceneratorëve, Mirel Mërtiri, në Maltë. Malta konsiderohet si parajsë fiskale për fshehjen e pasurive. Në mos ke ndonjë shtëpi në Maltë, të regjistruar në emër të dikujt tjetër apo ndonjë llogari të fshehtë bankare të krijuar edhe pas dhënies me koncesion edhe me firmën tënde”.

Gjiknuri u përgjigj me një kundërsfidë. “Një herë e kam vizituar Maltën, kur kam qenë ministër. Po gjete udhëtim të dytë, o unë iki nga kjo sallë, o ti. Po gjete më shumë se një udhëtim, duhet të japësh dorëheqjen”.

Demokratët i kërkuan Prokurorisë së Posaçme që të tregojnë vullnet e të hetojnë dosjen e inceneratorëve.