“Barcelona do të fitojë Champions, kampionat dhe kupë”

Përditësuar më: 29/10/2021, ora 12:34
barca

“Barcelona do të fitojë Champions, kampionat dhe kupë”

Përditësuar më: 29/10/2021, ora 12:34

Joan Gaspart, ish-president i Barcelonës, është shumë optimist për sezonin e katalanasve, pavarësisht se rezultatet e dobëta bënë që klubi të shkarkonte trajnerin Ronald Koeman.

“Kështu e ka futbolli. Është më lehtë të heqësh trajnerin sesa të gjithë lojtarët. Nëse do t’i jepnin pak më shumë kohë, jam i bindur se Koeman do të bënte punë të mirë”, tha Gaspart për “El Confidencial”.

Për momentin, Barcelona do të drejtohet nga Sergi Barjuan, por mediat sportive spanjolle e bëjnë të sigurt emërimin në stol të Xavi Hernandez së shpejti. Në lidhje me trajnerin e ri, Gaspart tha: “Me Xavin në stol, Barcelona do të fitojë Champions, kampionatin dhe Kupën e Mbretit. E them këtë sepse kampionati ka edhe shumë ndeshje, ndërsa Kupa nuk ka nisur ende. Kam parë në futboll të ndodhin gjëra edhe më të pamundura”.

Gjithashtu, ish-presidenti e krahasoi Xavin me Pep Guardiola dhe Luis Enrique: “Edhe kur Guardiola u bë trajner i ekipit të parë, duke pasur eksperiencë vetëm tek ekipi i të rinjve, njerëzit thonin se ishte zgjedhja e gabuar. E njëjta gjë ndodhi me Luis Enrique. Të gjithë thonin se ishin pa eksperiencë, por ekipi fitoi gjithçka me ata në stol”.