Komisioni për hetimin e “25 prillit”, Bardhi: Ndër dëshmitarët do të jetë edhe kryeministri Rama

Përditësuar më: 29/10/2021, ora 21:13

Komisioni për hetimin e “25 prillit”, Bardhi: Ndër dëshmitarët do të jetë edhe kryeministri Rama

Përditësuar më: 29/10/2021, ora 21:13

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, tha në “Intervistë me Merita Haklaj” se në Komisioni Hetimor për 25 prillin do të thërrasë për të dëshmuar edhe kryeministrin Edi Rama.

“Është përcaktuar një rreth dëshmitarësh. Në planin paraprak të hetimeve të prezantuar nga kryetari, është kërkuar dhe do të thirren si dëshmitarë kryeministri Edi Rama, disa ministra, përfshirë zëvendëskryeministrin që mbulon çështjen e rindërtimit, ministrja e Financave, e Shëndetësisë, disa drejtorë të drejtorive qendrore të administratës, është thirrur kreu i SPAK dhe prokurori i Përgjithshëm për të raportuar se çfarë po bëhet me hetimet”, tha Bardhi.

Në lidhje me hetimet e SPAK për zgjedhjet e 25 prillit, Bardhi u shpreh se ka një tendencëpër mosndëshkimin e krimeve.

“Ka pasur vetëm dy vendime në prokuroritë e rretheve për mbyllje të hetimeve, të cilat janë ankimuar nga PD dhe të dyja çështjet janë rikthyer për hetim. Për fat të keq, ka një tendencë të organit të prokurorisë, qoftë të SPAK apo prokurorive të rretheve për mosndëshkimin e krimeve zgjedhore. Ka një apel të shtuar të faktorit ndërkombëtar që prokuroria të hetojë krimet zgjedhore të 25 prillit. Ka një tendencë të kontrollit nga PS të organit të organit të prokurorisë apo të sistemit të drejtësisë në tërësi. Ajo që na ka çuar në këtë gjendje është edhe fakti që pandëshkueshmëria është kthyer në zakon në Shqipëri. Mosdënimi për Dibrën bëri që të përsëriten krimet zgjedhore edhe më 25 prill. Është shumë e rëndësishme që të hetohet 25 prilli dhe të ndëshkohen autorët”, tha sekretari i PD.

Sa i përket çështjes së patronazhistëve të Partisë Socialiste, Bardhi e cilësoi si krimin më të shëmtuar në një proces zgjedhor. “Me atë që ka bërë Rama me patronazhistët, ka marrë përgjegjësinë për atë vepër penale. Është koha që SPAK të vendosë para drejtësisë Edi Ramën dhe çdo zyrtar që ka bazuar me të dhënat personale të qytetarëve. Nuk ka krim më të shëmtuar në një proces zgjedhor sesa krimi që është kryer me çështjen e patronazhistët. Kjo është një nga 4 pikat në komisionin hetimor”, tha Bardhi.