Kulluri shpall kandidaturën për kryetar të PD

Përditësuar më: 29/10/2021, ora 10:55
MB KULLURI KRYETAR frame 249 1024x576

Kulluri shpall kandidaturën për kryetar të PD

Përditësuar më: 29/10/2021, ora 10:55

Edvin Kulluri shpalli kandidaturën për kryetar të Partisë Demokratike, duke u bërë kështu i pari që pranon të sfidojë Sali Berishën në një garë për pasuesin e Lulzim Bashës. Kulluri thotë se mori këtë vendim, me bindjen se ka “pasur të drejtë për situatën e krijuar pas humbjeve dhe dështimeve të njëpasnjëshme, dhe po ashtu me besimin se Kuvendi Kombëtar do ta fusë PD-në në rrugën e rimëkëmbjes si alternativa më e mirë politike”.

Sipas tij, “vendimi i shumicës së delegatëve të PD-së për të mbledhur Kuvendin meriton jo vetëm respektin e çdo anëtari, por edhe kontribut të kujtdo për të qenë pjesë aktive e vendimmarrjes dhe garave që do të prodhojë ky eveniment madhor”, thekson ai.

Edhe pse kryetari i PD-së, Lulzim Basha ka deklaruar se nuk do të lejojë mbledhjen e kuvendit kombëtar të partisë, anëtari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Indrit Hoxha, tha në A2 CNN, një ditë më parë, se deri tani janë mbledhur 65% e firmave të delegatëve për mbledhjen e kuvendit.

Mbledhja e firmave nisi pas turit të takimeve të Sali Berishës nëpër qytete të ndryshme, pas vendimit të Bashës për ta pezulluar nga grupi parlamentar i PD-së, si rezultat i shpalljes së tij “non grata” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Edhe vetë Berisha pranoi se do të fuste emrin e tij në listën e kandidatëve për kryetar në zgjedhjet që do të mbahen.

Kulluri ishte pjesë e grupimit për PD-në që u krijua pas humbjes së kësaj force politike në zgjedhjet e 25 prillit, dhe që kërkonte largimin e Bashës nga kryesimi i partisë. Në zgjedhjet e brendshme të zhvilluara më pas, nga ky grupim kandidoi Edith Harxhi dhe Ibsen Elezi.