Një miliarder promovon Botërorin në Izrael, Egjipt, Emiratet Arabe dhe Arabi Saudite

Përditësuar më: 29/10/2021, ora 11:43
franca kupa botes

Një miliarder promovon Botërorin në Izrael, Egjipt, Emiratet Arabe dhe Arabi Saudite

Përditësuar më: 29/10/2021, ora 11:43

Futbolli bashkon vendet dhe popujt. Sporti më popullor në botë shërben për të vendosur ura bashkëpunimi edhe në konfliktet më të ashpra. Në këtë këndvështrim, vjen edhe një propozim befasues. Miliarderi izraelito-kanadez, Sylvan Adams, deklaroi se Izraeli është gati të organizojë Botërorin 2030, së bashku me tre vende të tjera të rajonit.

Shtetet organizatore janë një befasi për të gjithë opinionin. Sipas tij, Izraeli do ta organizojë Kupën e Botës me Egjiptin, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe me Arabinë Saudite. Biznesmeni dhe investitori sportiv Sylvan Adams zbuloi se ai ka pasur një bisedë intensive me Presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino, duke i propozuar idenë që Izraeli të jetë organizator i Kupës së Botës.

Nga pikëpamja financiare dhe e infrastrukturës, kjo do të realizohej vetëm me vendet e rajonit. Për më tepër, zhvillimi i turneut më të rëndësishëm në Lindjen e Mesme do të ishte një mundësi e jashtëzakonshme, si në aspektin financiar, ashtu edhe për gjeo-politikën, në një zonë ku konfliktet vijojnë prej disa dekadave.

Botërori mes këtyre katër vendeve do të ishte një risi absolute, sepse do të përfshinte tre konfederata kontinentale. Izraeli është anëtar i UEFA-s, Egjipti i Afrikës teksa Emiratet e Bashkuara dhe Arabia Saudite janë anëtare të Shoqatës Aziatike. Surpriza do të ishte aplikimi i supozuar i Izraelit përkrah Arabisë Saudite, dy vende që po i afrohen normalizimit të marrëdhënieve, por ende nuk kanë një marrëveshje zyrtare diplomatike.

Favoritë për Botërorin 2030 janë Argjentina, Uruguai dhe Paraguai, për të rikthyer Kupën e Botës në Amerikën Jugore 100 vjet pas edicionit të parë të zhvilluar në Montevideo të Uruguait. Kandidatura të forta janë edhe Portugalia me Spanjën apo Britania e Madhe me Irlandën, si vende bashkorganizatore.