Sherri i numrave dy, Gjiknuri padit Bardhin: Lër mandatin për shpifjet

Përditësuar më: 29/10/2021, ora 13:07
gjiknuri bardhi 1024x576

Sherri i numrave dy, Gjiknuri padit Bardhin: Lër mandatin për shpifjet

Përditësuar më: 29/10/2021, ora 13:07

Një ditë pas përplasjeve në Kuvend, numrat dy të Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike kanë vijuar akuzat edhe në rrjetet sociale. Bardhi i bën apel SPAK-ut që të hetojë aferën 400 milionë euroshe të inceneratorëve, kurse Gjiknuri e padit për shpifje dhe i bën thirrje që të lërë mandatin.

I pari ishte sekretari i përgjithshëm i PD-së Gazment Bardhi që akuzoi Gjiknurin për lidhjet e tij me bosët e plehrave. Sipas tij, kjo tregon urgjencën që ka Shqipëria të pastrohet nga politikanët e korruptuar.

“Afera 400 milionë euroshe e mafies së plehrave është një nga shpërdorimet më të mëdha të taksave të qytetarëve shqiptarë. Ditën e djeshme PD-ja zbuloi një tjetër zgjatim të kësaj afere të pisët, nëpërmjet faktimit të lidhjeve të ngushta të Mirel Mërtirit dhe Klodian Zotos, bosëve të inceneratorëve, dhe Damian Gjiknurit, i cili ka udhëtuar mbi 15 herë me ta jashtë Shqipërisë, ndërkohë që i gjithë aparati shtetëror ishte vendosur në gatishmëri të mafies së plehrave. Ky konflikt i pastër interesi i shtohet numrit të madh të provave që Partia Demokratike ka grumbulluar vitet e fundit mbi këtë aferë që bën bashkë drejtuesit më të lartë të këtij pushteti të korruptuar, e sigurisht vet Edi Ramën, që ka promovuar dhe mbrojtur këto projekte që  shkrumbojnë vetëm taksat e qytetarëve. Tani është radha e drejtësisë të thotë fjalën e saj mbi këtë aferë 400 milionëshe, që tregon edhe njëherë urgjencën që ka Shqipëria të pastrohet nga politikanët e korruptuar dhe të largoi këtë regjim plaçkitësish”, shkruajti Bardhi.

Në përgjigje të tij sekretari i përgjithshëm i selisë rozë, i cili njofton se do të dorëzojë padinë për shpifje ndaj Gazment Bardhit. Sipas tij, datat që citon PD për daljen jashtë vendit janë të pavërteta.

“Shpërthimet e pakontrolluara të Gazit të Lulit faktojnë situatën e emergjencës dhe panikut që ka përfshirë lidershipin zyrtar të Partisë Demokratike. Efektin ndotës të të tillë Gazrave nuk ka incenerator as impiant që ta marrë përsipër ta trajtojë. Për të gjitha deklarimet e djeshme, të përsëritura dhe ditën e sotme, kam autorizuar dorëzimin e padisë për shpifje ndaj Gazit të Lulit. Për hir të transparencës ndaj opinionit publik, ju drejtova zyrtarisht autoriteteve përgjegjëse dhe nga 17 datat e pretenduara nga PD si lëvizje të miat jashtë vendit, sipas sistemit TIMS 14 rezultojnë të pavërteta. Tre data që përkojnë me udhëtime të miat janë krejt rastësore e pa asnjë lidhje me personat në fjalë: përkatësisht dy janë vizita zyrtare në detyrën e ministrit dhe një udhëtim me automjet me familjen time. Asnjë udhëtim charter. Të gjitha në linjat e zakonshme të fluturimit” .

Gjiknuri i bën thirrje Bardhit të bëjë gati mbrojtjen në gjykatë dhe i thotë që të dorë nga mandati si shenjë reflektimi për deklaratat e tij.

“Nën presionin e “Foltores”, duket qartë se Gazi i Lulit dhe Luli i Gazit e kanë nxjerrë në shitje partinë si shpifësa me pagesë, gjobvënësa ekonomikë e politikë, duke ju vetëofruar blerësit më të parë. Gaztori i Lulit të gjejë avokatin dhe bëjë gati mbrojtjen në gjykatë! Siç e sfidova dje publikisht në Kuvend, hapi i dytë, të bëjë gati heqjen dorë nga mandati si shenjë reflektimi për budalliqet me pagesë që nxjerr nga goja!”