Zgjatja e afateve të organeve të vettingut, Bardhi: Nuk është urgjente, duhet bërë një analizë si kanë funksionuar

Përditësuar më: 29/10/2021, ora 21:33

Zgjatja e afateve të organeve të vettingut, Bardhi: Nuk është urgjente, duhet bërë një analizë si kanë funksionuar

Përditësuar më: 29/10/2021, ora 21:33

Gjatë Intervistës me Merita Haklajn, sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi u shpreh se opozita është e angazhuar për të çuar përpara vettingun në politikë, me angazhimin e SPAK në këtë proces.

Bardhi tregon se në draftin e depozituar për kalimin në sitë të politikanëve të korruptuar dhe atyre të lidhur me krimin e organizuar janë përfshirë të gjitha rekomandimet që Komisioni i Venecias ka dhënë më herët për këtë çështje në vitin 2018.

“Vettingu në politik tregon një vullnet të PD për të pastruar politikën nga të korruptuarit. Është një iniciativë e jona që në 2018 dhe që u refuzua me votë nga PS pa pritur opinionin e Venecias, pas kësaj ne dorëzuam mandatet. Tani që jemi në kuvend duam që ta çojmë përpara. Është në interesin e qytetarëve. Tani kemi marrë iniciativën e 2018 dhe kemi reflektuar të gjitha garancitë që ka kërkuar Komisioni i Venecias në draftin e depozituar. Ky ndryshim kushtetues kërkon konsensus, por jemi para opinionit publik. Kreu i PD ka kërkuar që vettingu në politikë të nisë prej tij. Të njëjtat rregulla janë zbatuar gjatë vettingut të gjyqtarëve dhe përfshirë edhe faktin nëse këto rregulla respektojnë apo jo parimin e prezumimit të pafajësisë, por jo vetëm atë. Tashmë ka kaluar testin jo vetëm të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, por edhe të Europiane për të Drejtat e Njeriut. Nuk ka asnjë rregull shtesë për sa i përket standardeve apo kritereve krahasuar me atë që aplikohet për gjyqtarët. Nuk bëhet fjalë për dyshime, por për kontakte me persona të përfshirë në krim të organizuar”, u shpreh Bardhi.

Në lidhje me zërat nga mazhoranca se SPAK mbingarkohet nëse do të hetojë dhe politikanët apo zyrtarët e lartë dhe se duhen mekanizma shtesë, Bardhi u shpreh se kjo gjë mund të zgjidhet fare lehtë nëse Struktura e Posaçme Antikorrupsion nuk merret me çështje minore.

“Është e papranueshme të thuash që për gjyqtarët dhe prokurorët të thuash që duhet mekanizëm shtesë, ndërsa kur bëhet fjalë për veten tënde thua mjaftojnë mekanizmat që janë, hajde t’i rregullojmë siç kemi 30 vite. Themi kemi institucione, i rregullojmë herë pas herë, harxhojmë disa fonde dhe nuk kemi asnjë zyrtar të lartë në burg për korrupsion. Argumentet që kundërshtojnë vettingun në politikë janë dëgjuar këto 30 vite të thuhen sa herë kërkohet pastrimi i politikës nga të korruptuarit apo të lidhur me personat nga krimi i organizuar. Për sa i përket ngarkesës së SPAK, sigurisht që Kushtetuta parashikon një numër minimal të prokurorëve në përbërje të SPAK. Ky numër mund të shtohet sikundër mund të lehtësohet ngarkesa e SPAK me çështje minore”, shtoi Bardhi.

Sekretari i Përgjithshëm i demokratëve nuk dha një përgjigje të drejtpërdrejtë nëse opozita do ta votojë apo jo zgjatjen e afateve të organeve të vettingut. Bardhi deklaroi në “Intervista” se kjo çështje nuk ka urgjencë dhe se duhet bërë një analizë sesi kanë funksionuar këto institucione.

“Nuk ka asnjë urgjencë ajo çështje, Mandati aktual i anëtarëve të KPK dhe komisionerëve, d.m.th për 14 anëtarë përfundon në qershor të 2022. D.m.th ka ende shumë kohë përpara. Para se të shkojmë te vendimmarrja duhet bërë një analizë e punës së tyre, ecurinë, arsyet pse procesi nuk ka ecur me ritme dhe avantazhet që ka kjo zgjidhje. KLGJ dhe KLP le të bëhen gati, është e paimagjinueshme që thonë se nuk janë gati”, përfundoi Bardhi.