“Ishulli ylber” që shumë pak e njohin

Përditësuar më: 30/10/2021, ora 17:11

“Ishulli ylber” që shumë pak e njohin

Përditësuar më: 30/10/2021, ora 17:11

Me përrenj dhe plazhe ngjyrë të kuqe, shpella mahnitëse kripe, apo male ngjyrë rubini, ishulli Hormuz i Iranit është një Disneyland i vërtetë. “Duhet të shijoni këtë tokë”, thotë Farzad Kay për BBC Travel, në një udhëtim magjik në këtë ishull, në Iranin Jugor. I vendosur 8 km larg brigjeve të Iranit, mes ujërave blu të Gjirit Persik, Hormuz është një ishull kripe, ngritur mbi shtresa argjilore, balte dhe shkëmbinj vullkanikë që shkëlqejnë në nuancat verbuese të së kuqes, të verdhës dhe portokallisë.

Sipas dr. Kathryn Goodenough, gjeologe në Shërbimin Gjeologjik Britanik, qindra milionë vjet më parë, detet e cekëta formuan shtresa të trasha kripe rreth skajeve të Gjirit Persik. Këto shtresa, gradualisht, u përplasën dhe u ndërthurën me sedimente vullkanike të pasura me minerale, duke shkaktuar formimin e tokës shumëngjyrëshe.

Përtej malit të kuq rubin, plazheve dhe përrenjve ka shumë gjëra të tjera për të eksploruar në Hormuz. Në perëndim të ishullit ka një mal spektakolar kripe i njohur si “Perëndeshë e Kripës”. Shtrirë në më shumë se një kilometër, në të gjenden shpella dhe mure të mbuluara nga kristalet e kripës vezulluese që ngjasojnë me kolona gjigante të një pallati mermeri. Vendasit besojnë se kripa ka fuqi shëruese për të thithur dhe çliruar çdo energji negative.

Më tej, në ishull gjendet një Luginë e Statujave, e quajtur kështu pasi shkëmbinjtë janë gërryer në forma fantastike nga erozioni i erës prej mijëra vitesh ku duket sikur sheh zogj, dragonj dhe krijesa të tjera mitike. Është si të admirosh galerinë e artit të Tokës.

Pavarësisht nga ngjyrat natyrore surreale, kaleidoskopike të ishullit, shumica e udhëtarëve nuk dinin për të, prej shumë kohësh. Sipas Organizatës së Porteve, 18 000 vizitorë vizituan vendin në vitin 2019 dhe pritshmëritë për vizitorët rriten gjithnjë e më shumë.