Liderët botërorë miratojnë marrëveshjen historike për taksimin e korporatave

Përditësuar më: 30/10/2021, ora 22:03

Liderët botërorë miratojnë marrëveshjen historike për taksimin e korporatave

Përditësuar më: 30/10/2021, ora 22:03

Udhëheqësit e 20 vendeve me ekonomitë më të mëdha në botë kanë miratuar një marrëveshje globale, sipas të cilës bizneset e mëdha do të taksohen të paktën 15% për fitimet e tyre.

Vendimi u mor në samitin e G20 në Romë dhe erdhi si pasojë e shqetësimeve se kompanitë e mëdha shumëkombëshe shpërndajnë fitimet e tyre përmes vendeve që kanë nivel të ulët taksash.

“Liderët që përfaqësojnë 80% të Prodhimit të Brendshëm Bruto të të gjithë botës – aleatë e konkurrentë bashkë – e bëmë të qartë mbështetjen tonë për një taksim minimal global”, shkroi në Twitter presidenti amerikan Biden, pas vendimit. “Kjo është më tepër se një marrëveshje për taksat, por riformim i ekonomisë globale dhe arritja e rezultateve për njerëzit tanë, përmes diplomacisë”.

Marrëveshja për taksimin minimal, e propozuar pikërisht nga Biden, pritet që të miratohet zyrtarisht të dielën, sipas Reuters, dhe do të hyjë në fuqi nga viti 2023. Sekretarja amerikane e Thesarit, Janet Yellen, e cila më parë ka drejtuar Rezervën Federale, tha se nga ky taksim do të përfitonin bizneset dhe punëtorët amerikanë, edhe pse korporatat me seli në SHBA do të paguajnë më shumë taksa.

Në agjendën e samitit janë edhe ndryshimet klimatike dhe pandemia e Covid-19.