“Pse u ktheva në organizatën terroriste Boko Haram dhe si u arratisa prej saj”

Përditësuar më: 30/10/2021, ora 09:30

“Pse u ktheva në organizatën terroriste Boko Haram dhe si u arratisa prej saj”

Përditësuar më: 30/10/2021, ora 09:30

Në vitin 2017, Aisha Yerima tronditi familjen e saj kur u kthye me dëshirë në robërinë e organizatës terroriste Boko Haram, pasi u lirua nga ushtria. Katër vjet më vonë ajo u arratis dhe u kthye në shtëpinë e prindërve të saj. Aisha ndan historinë e saj me BBC, ku shpjegon se si fillimisht u rekrutua nga Boko Haram, mandej kërkoi të jetonte me to dhe në fund u arratis prej tyre,

Aisha u rrëmbye nga Boko Haram në moshën 21-vjeçare dhe u martua me një nga komandantët e grupit, për të cilin tha se ia kishte fituar zemrën me romancë dhe dhurata. Ai ishte nisur për të luftuar kur ushtria sulmoi kampin e tyre, duke shpëtuar Aishen dhe dhjetëra gra të tjera. Gratë iu nënshtruan të gjitha një programi njëvjeçar deradikalizimi, por katër muaj më pas, Aisha vendosi që jeta me Boko Haram ishte më e mirë dhe u kthye me ta.

Ajo u takua me burrin e saj në një vend të izoluar ku ai po e priste me rreth 20 militantë në një autobus. “Ata ishin të gjithë të armatosur me armë”, thotë ajo. Më pas, filluan udhëtimin e gjatë drejt pyllit Sambisa, e braktisën autobusin dhe vazhduan pjesën tjetër të udhëtimit në këmbë. “Kur arritëm në kampin tonë në pyll, u bë një festë e vërtetë. Të gjithë ishin të lumtur që më panë përsëri dhe qëllonin me armë në ajër”, thotë Aishja. Ajo rifilloi jetën si gruaja e komandantit – e trajtuar me respekt, e madje dhe me robër që i shërbenin. Menjëherë pas kthimit, ajo zbuloi se ishte shtatzënë, por fëmija vdiq në lindje. Në shtatzëninë e dytë, burri i saj u vra në betejë. Militantët besonin se fëmija i saj i palindur kishte të drejtën e një pjese të pasurisë së babait dhe kështu pritën derisa fëmija të lindte, për të parë nëse ishte djalë apo vajzë dhe më pas të ndanin trashëgiminë.

Foshnja e saj doli të ishte djalë, por tragjedia goditi sërish. Ai vdiq në lindje. Aishja ishte e shkatërruar. Pjesa e saj e trashëgimisë i lejoi asaj të vazhdonte të jetonte mirë, por megjithatë e detyruan të martohej me dikë tjetër, që ishte po ashtu një burrë i pasur. Shtatzënë për herë të tretë dhe pas traumave që kishte kaluar, Aishja i kërkoi të shoqit të arratiseshin, por ai refuzoi.

Ndërkohë, luftimet e ashpra të brendshme kishin çuar në copëtimin e Boko Haram, me dy fraksione që sulmonin gjithnjë e më shumë njëri-tjetrin. E frikësuar për jetën e saj dhe të fëmijës së saj, Aishja vendosi të arratisej. Por të gjithë që tentuan të largoheshin, së bashku më të, u kapën gjatë rrugës dhe u kthyen në kampin e tyre. Për ta mbajtur atë që të mos tentonte të ikte përsëri, burri i Aishes dhe militantët e kapën gjashtëvjeçarin e saj dhe e çuan në një vend të panjohur.

Megjithatë, edhe pse pa djalin e saj, Aisha u arratis, së bashku me disa gra të tjera, duke paguar një militant që dinte një rrugë klandestine nëpër pyll. Kur arritën në Maiduguri, asaj iu desh të telefononte nënën e saj dhe t’i kërkonte udhëzime pasi qyteti kishte ndryshuar kaq shumë në mungesë të saj. E gjithë familja e mirëpriti dhe e ndihmoi të rehabilitohej pas vuajtjeve të shumta që kishte kaluar.

Deri më tani, Aishja nuk ka dëgjuar asgjë për bashkëshortin që e braktisi në pyll. E vendosur për të krijuar një jetë të re për veten, ajo shpreson të mbledhë para për të filluar tregtimin e parfumeve. “I lutem Zotit që ta shpëtojë djalin tim, por nuk do të kthehem kurrë më në Boko Haram”, tha ajo.