Zgjedhjet e pjesshme, dekriminalizim e dorëheqje, si mbetën 6 bashki pa kryetar?

Përditësuar më: 2/11/2021, ora 13:55

Zgjedhjet e pjesshme, dekriminalizim e dorëheqje, si mbetën 6 bashki pa kryetar?

Përditësuar më: 2/11/2021, ora 13:55

Vënia nën akuzë nga SPAK i kryebashkiakut të Mallakastrës, Qerim Ismailaj, dhe mënyra se si do t’i rrjedhë përballja me drejtësinë për akuzën e “falsifikimit”, nuk e përjashton mundësinë e ndërprerjes së mandatit të tij.  

Por nga ana tjetër, në vend janë gjashtë bashki të cilat nuk e kanë një kryetar të zgjedhur dhe nuk do të kenë një të tillë, derisa Presidenti të dekretojë një datë për zgjedhje të pjesshme.

E para bashki që mbeti pa kryetar të zgjedhur nga procesi zgjedhor i 30 qershorit 2019 ishte Shkodra. KQZ nuk i ligjëroi mandatin kandidatit fitues, pas nisjes së një hetimi për një dënim të padeklaruar në formularët e dekriminalizimit, ndërsa çështja penale ndaj tij u pushua më pas nga Gjykata e Tiranës. Largimi i tij la në detyrë, sot dy vite përtej mandatit, Voltana Ademin.

Bashkia tjetër pa kryetar është Durrësi. Ish-drejtuesja e qytetit bregdetar, Valbona Sako, dha dorëheqjen pak ditë pas tërmetit shkatërrimtar të nëntorit 2019. Sako e motivoi dorëheqjen me regimin publik që ngjalli një deklaratë e saj, ku tha se “të jemi të kënaqur me 50 viktima”.

Ndërsa Bashkia Vorë mbeti pa kryear në nëntor 2019, kur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shkarkoi nga detyra Agim Kajmakun. Ai nuk kishte deklaruar në formularët e dekriminalizimit një dënim nga një gjykatë greke. Kajmaku po gjykohet në Gjykatën e Tiranës, jo vetëm për falsifikimin e formularit, por edhe për falsifikimin e një numri të protokollit, si edhe shkarkimin e dy nënkryetarëve pasi nuk ishte më në detyrë.

Bashkia Dibër është e radhës në listën e bashkive pa drejtues të zgjedhur. Ish-kryetari i dalë nga zgjedhjet e kaluara lokale dha dorëheqjen për të kandiduar si deputet në zgjedhjet e prillit 2021, ku nuk triumfoi.

Ndarja nga jeta për shkak të një infarkti e Haxhi Memollës, në shkurt 2020, la pa drejtues të zgjedhur Bashkinë e Rrogozhinës. Në korrik 2021, pa kryetar mbeti edhe Bashkia e Lushnjës. Fatos Tushe u shkarkua nga detyra me vendim qeverie, një ditë pasi u arrestua nga SPAK, si i dyshuar për “shpërdorim detyre”.