Kurti për BBC: Nuk do të lejojmë bosnjëzimin e Kosovës

Përditësuar më: 3/11/2021, ora 12:31
kurti 1024x576

Kurti për BBC: Nuk do të lejojmë bosnjëzimin e Kosovës

Përditësuar më: 3/11/2021, ora 12:31

“Nuk do të lejojmë bosnjëzimin e Kosovës”. Kryeministri Albin Kurti mbrojti me vendosmëri qëndrimin e tij kundër krijimit të asociacionit me shumicë serbe në Kosovë, në intervistën e dhënë për Hard Talk në BBC.

“Njerëzit më votuan të parandaloj bosnjëzimin e Kosovës, dhe nuk do ta lejoj krijimin e një shteti paralel serb, si në qeveri ashtu edhe opozitë’, iu përgjigj gazetarit Stephen Sackur, që shpesh i referohej si një lider problematik, që nuk e donte paqen me Serbinë.

“Në vitin 2015 dhe 2016 pati një përpjekje për bosnjëzimin e Kosovës, më saktësisht për të rigrupuar komunat me shumicë serbe në një shtresë të tretë pushteti nën kontrollin direkt të Beogradit. Duan ta përsëritin Bosnjën në Kosovë. Nuk do ta lejoj këtë, pavarësisht nëse jam në opozitë apo qeveri. Për këtë më votuan njerëzit, të parandaloj bosnjëzimin e Kosovës”, tha kryeministri.

Kurti theksoi se Kosova nuk e ka prioritet dialogun Kosovë-Serbi për normalizimin e marrëdhënieve, pavarësisht se sipas tij, kjo çështje nuk do të duhej të neglizhohet.

“Ne fituam zgjedhjet e 14 shkurtit me një fitore të favorshme me prioritet për punë. Nuk dua të neglizhoj normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, por zhvillimi ekonomik në një anë dhe sundimi i ligjit në anën tjetër, gjithashtu dhe pandemia, do të thotë se dialogu me Serbinë është në vendin e katërt në agjendën tonë të shtet-ndërtimit demokratik për republikën tonë të pavarur”, tha Kurti.