Mediu për rigjykimin e “Gërdecit”: Veprimet e SPAK dhe gjykatës, të nxitura politikisht

Publikuar më: 3/11/2021, ora 19:23

Mediu për rigjykimin e “Gërdecit”: Veprimet e SPAK dhe gjykatës, të nxitura politikisht

Publikuar më: 3/11/2021, ora 19:23

“Rigjykimi i tragjedisë së Gërdecit dhe kërkesa për ndjekjen penale të ish-ministrit të Mbrojtjes shfaqet gjithmonë para fushatave zgjedhore dhe është e nxitur politikisht”. Kështu u shpreh në një konferencë për shtyp kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, duke paraqitur të gjitha hapat që ka ndërmarrë që pas vitit 2008, nga dorëheqja apo lënia e imunitetit.

Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, ka reaguar në lidhje me rihetimin e tragjedisë së Gërdecit nga SPAK, ku përfshihet edhe ai si ish-ministër i Mbrojtjes. Në një konferencë për shtyp, Mediu shpjegoi të gjitha hapat që ka ndërmarrë që pas vitit 2008: “Kam dhënë dorëheqjen si ministër dy ditë pas ngjarjes, duke e parë veten përgjegjës moral dhe politik për atë ngjarje të rëndë, por aspak i fajshëm si shkaktar i pasojave. Kam kërkuar dhe votuar që në fillim heqjen e imunitetit dhe jam vendosur në dispozicion të hetimit pa asnjë rezervë. Prokuroria e Përgjithshme e kohës ka bërë për mua dhe familjarët e mi një hetim 360 gradë, si asnjë funksionar tjetër publik”.

Mediu shton se akuzat janë të nxitura politikisht: “Unë kam 30 vjet që merrem me politikë. Ka kudo interesa nga më të ndryshmet, por fakti që kjo çështje shtrohet dhe nxitet publikisht vetëm në fushata elektorale, tregon qartësisht se ka interes politik”.

Ndërsa avokati i tij, Ardian Visha, bëri një rezyme të të gjitha procedurave ligjore që janë ndjekur për këtë rast, duke e cilësuar si antikushtetues kërkesën e SPAK dhe praninim e kësaj kërkese nga ana e Gjykatës së Posaçme të Apelit.

Të dy theksuan se në të gjitha proceset gjyqësore për tragjedinë e Gërdecit, gjykatat nuk kanë gjetur fajësi për Mediun, duke shtuar se vendimi i fundit dhe i formës së prerë të Gjykatës Penale të Apelit në Tiranë, në vitin 2019, e ka rrëzuar kërkesën e familjarëve të viktimave për ndjekjen penale të ish-ministrit Mediu, duke mos gjetur ndonjë shkelje ligjore në kohën kur drejtonte Ministrinë e Mbrojtjes.