Open Balkan, Tahiri: Çështjet nuk janë ekonomike, Beogradi po tenton hegjemoninë, Tirana po e ndihmon

Përditësuar më: 5/11/2021, ora 16:36

Open Balkan, Tahiri: Çështjet nuk janë ekonomike, Beogradi po tenton hegjemoninë, Tirana po e ndihmon

Përditësuar më: 5/11/2021, ora 16:36

Edhe pse liderët e vendeve pjesëmarrëse në Open Balkan, Shqipëri, Serbi dhe Maqedoni  e Veriut, deklarojnë se iniciativa ka si synim madhor çështjet ekonomike dhe lirinë e qarkullimit në rajon, diplomatja dhe ish-zëvendëskryeministrja e Kosovës, Edita Tahiri nuk e beson, duke vënë gishtin në ambiciet e Beogradit për të rikthyer hegjemoninë e saj në rajon.  

“Rezultatet ekonomike të shpalosura nuk janë të drejtpërdrejta nga kjo iniciativë, janë iniciativa rajonale të mëparshme, natyrisht disa gjera mund të kenë lëvizur në letër. Por praktikisht, vështirë të mendohet një zbatim i vendimeve të 4 lirive, sepse temat e hapura në Ballkan nuk janë mbyllur. Flitet për Ballkanin e hapur ndërkohë që Kosova e Serbia nuk kanë arritur njohjen reciproke. Shqipëria mund të flasë për kufij por ajo nuk kufizohet me Serbinë, është Kosova ajo që kufizohet. Çështjet gjoja ekonomike, janë thellësisht gjeopolitike”.

Diplomatja e njohur, e ftuar në “debat” në’ A2 CNN,  e shtjellon më tej këtë pikë. “Serbia ka tregun më të madh në rajon, gjatë luftës nuk ka dëmtuar veten por vendet e tjera të ish- Jugosllavisë, ka avantazh në ekonomi sepse e hapur ndaj Kinës dhe Rusisë, kundër partnerëve perëndimor, po shfrytëzon çdo mënyrë për t’u ngritur në hegjemoni ekonomike dhe nga momenti që po vonon për të qenë e tillë po tenton sërish kartën e Serbisë së Madhe, duke  u shndërruar në burim destabiliteti në rajon”.

Sipas saj, Tirana zyrtare po ndihmon këtë plan.  “Rama po e ndihmon Beogradin për të qenë faktor stabiliteti, por në të vërtetë kjo po djeg Ballkanin. Të gjithë analistët më me përvojë në Ballkan po thonë, se Ballkani është afër luftërave të reja”, shton e shqetësuar Tahiri.

Kjo po bëhet e mundur, sipas saj, edhe për lojën gjeostrategjike të Moskës. “Serbia synon të ndajë Bosnjën. Ajo nuk është e vetme, në stërvitjet serbe po marrin pjesë rusët, sepse Moska po provon të shtojë ndikimin e saj në raport me SHBA, ndërkohë që ka ndërprerë marrëdhëniet me Naton”.