“Çdo natë na pret një taksi”, emigrantët ngrenë çadrat 300 m larg kufirit me Shqipërinë

Publikuar më: 5/11/2021, ora 19:20

“Çdo natë na pret një taksi”, emigrantët ngrenë çadrat 300 m larg kufirit me Shqipërinë

Publikuar më: 5/11/2021, ora 19:20

Fare pranë kufirit me Shqipërinë, me dhjetëra emigrantë tentojnë të hyjnë çdo ditë në territorin tonë për të shkuar drejt Europës, por kthehen sërish nga efektivët e FRONTEX, agjencisë europiane të kufijve që prej kohësh është instaluar në zonat kufitare me Greqinë. Këtë realitet e ka përcjellë gazeta greke “Ethnos”, përmes një reportazhi të zhvilluar në zonën neutrale të kufirit me Greqinë. Në një hapësirë vetëm 300 metra larg pikës doganore të Kapshticës, klandestinët kanë ngritur çadrat, ku qëndrojnë derisa të munden të hyjnë drejt fshatit Trestenik të Devollit.

Në disa raste ata rrinë në ish-postat ushtarake të para viteve ‘90, ku dallohen edhe shenjat e qëndrimit të tyre. Ata që arrijnë të mbërrijnë në fshatin Trestenik furnizohen me ushqime dhe vazhdojnë linjën e tyre të udhëtimit, ndërsa pjesa më e madhe ndalohen nga policia kufitare dhe ekspertët e FRONTEX.

Duket se banorët e fshatit tashmë janë mësuar me këtë realitet.

Të gjithë kanë ardhur nga vende si Siria, Afganistani dhe duke përshkuar Turqinë kalojnë në Greqi. Pasi hyjnë në Shqipëri ata përcillen nga trafikantët drejt Kosovës dhe më tej Serbisë, për t’u zhvendosur më tej drejt Hungarisë dhe Rumanisë, aty ku janë edhe pikat shpërndarëse drejt vendeve të Europës.

Pikërisht në Rumani Europoli zhvilloi një aksion orët e fundit ku shkatërroi një rrjet kriminal që organizonte trafikun e paligjshëm njerëzor.