PD-ja me kryetar “non grata”? Nishani: Më intereson më shumë kurimi i partisë

Përditësuar më: 5/11/2021, ora 22:12
nishani merita 1024x576

PD-ja me kryetar “non grata”? Nishani: Më intereson më shumë kurimi i partisë

Përditësuar më: 5/11/2021, ora 22:12

Ish-Presidenti Bujar Nishani, u shpreh në “Intervistë” me Merita Haklajn se nëse Sali Berisha ka fuqinë për të larguar kreun aktual të Partisë Demokratike, Lulzim Bashën, ka të drejtë të konkurrojë për të marrë drejtimin e partisë.

“Duhet të jemi realistë. Ai person që ka fuqinë të imponojë largimin e kryetarit aktual përmes aktivizimit të bazës, do të thotë që e ka ai bazën me vete. Në këtë rast, ky person e ka emrin Sali Berisha. Në momentin që verifikohet që shumica e bazës e mbështet zotin Berisha për të larguar zotin Basha, do të thotë që ky njeri e ka partinë me vete. Dhe përderisa e ka me vete, ky njeri ka të drejtë të konkurrojë për të marrë zyrtarisht drejtimin e partisë”, deklaroi Nishani.

Kur u pyet se sa e barabartë mund të jetë një garë ku në të është edhe Sali Berisha, Nishani u përgjigj: “Rëndësi ka që gara të jetë me rregulla të barabarta, që të gjithë t’i pranojnë rregullat, që të jetë transparente dhe infrastruktura të jetë e barabartë për të gjithë kandidatët”.

Në rastin hipotetik të marrjes së partisë nga Sali Berisha, person i shpallur “non grata” nga Sekretari Amerikan i Shtetit, Nishani theksoi: “Ky është një problem, por unë vë në balancë disa interesa më të mëdha. Për mua, më shumë interes ka kurimi i PD-së si entitet politik. Sot nuk ekziston opozita në Shqipëri. Nëse më pyesin nëse do të pranoj unë asgjësimin e opozitës dhe rrjedhimisht të cenoj rëndë garancitë e lirive dhe të drejtave të njeriut, apo të më shqetësojë një raport i caktuar i një individi, mua më intereson më shumë ekzistenca e opozitës në vend.
E dyta, kur e rregullojmë opozitën dhe e kthejmë në funksion, unë shoh dy interesa të tjera: interesin e PD-së apo të vendit. Aty anoj te interesi i vendit. Janë procese që zgjidhen hap pas hapi dhe këto zgjidhen me vullnetin e mirë të njerëzve”.