Reja: Humbja ndaj Polonisë kompromentoi shanset e kualifikimit, tani të grumbullojmë sa më shumë pikë

Publikuar më: 8/11/2021, ora 12:25
reja 1 1024x576

Reja: Humbja ndaj Polonisë kompromentoi shanset e kualifikimit, tani të grumbullojmë sa më shumë pikë

Publikuar më: 8/11/2021, ora 12:25

Trajneri i Kombëtares shqiptare të futbollit, Edy Reja, në konferencën për shtyp përpara ndeshjeve kualifikuese të Botërorit ndaj Anglisë dhe Andorrës, deklaroi se objektivi i kuqezinjve është që të grumbullojnë sa më shumë pikë në dy ndeshjet e fundit, edhe pse e pranoi që humbja ndaj Polonisë “kompromentoi shanset për kualifikim”.

“Objektivat tanë janë që të luajmë sa më mirë. Humbja me Poloninë kompromentoi shanset për të arritur “play off”-in e Botërorit 2022. Por, matematika na mban ende në garë dhe mund të shpresojmë deri në fund. Jemi në gjendje të mirë, edhe psikologjike. E përgatisim këtë ndeshje me angazhim maksimal. Luajmë në Wembley, një prej stadiumeve më të mëdha në botë, për të marrë më të mirën”, deklaroi Reja.

Trajneri italian shtoi: “Do t’u kërkoj lojtarëve që të japin më të mirën, si në Angli ashtu edhe kundër Andorrës. Duhet të grumbullojmë sa më shumë pikë që të jetë e mundur. Në fund do të bëjmë edhe llogaritë. Më vjen keq vetëm për Poloninë, sepse në të dyja ndeshjet nuk e meritonim të humbisnim. Mbi të gjitha në shtëpi. Kishim vetëm 16 lojtarë në stol, nuk mund të bënim zëvendësime. Jam i hidhëruar, sepse dëmtimet dhe pandemia na ndikuan në ndeshjen më të rëndësishme. Kemi pak shanse, por do të provojmë deri në fund. Ndoshta Hungaria i merr pikë Polonisë”.

Në lidhje me mungesat e Manajt dhe Balliut, Reja shpjegoi: “Fola me Manajn, që ka pasur disa probleme fizike. Për më tepër ka luajtur pak dhe më tha që nuk është në formën më të mirë. Diskutova edhe me Balliun, por edhe ai ka probleme me rrëzat e kofshëve, edhe pse luajti kundër Realit. Pauza e kombëtareve do t’i shërbejë për të rikuperuar nga ky dëmtim. Kisha dëshirë ta shihja në aksion, por edhe ndaj Polonisë u infektua me Covid. Edhe pse po luan rregullisht në La Liga, Balliu është i detyruar të përdorë injeksione. Gjithashtu, kemi mungesat e rëndësishme të Gjimshitit dhe Abrashit, dy lojtarë të rëndësishëm për ne, por që nuk kanë luajtur së fundmi për shkak të dëmtimeve”.