Abuzimi me fëmijët, sociologia: Temat me natyrë seksuale të vështira të trajtohen nga shqiptarët

Përditësuar më: 9/11/2021, ora 20:16

Abuzimi me fëmijët, sociologia: Temat me natyrë seksuale të vështira të trajtohen nga shqiptarët

Përditësuar më: 9/11/2021, ora 20:16

E ftuar në Debat me Alba Alishanin në A2 CNN, aty ku u trajtua çështja e abuzimit me fëmijët në familje dhe në shkolla, sociologia Entela Binjaku u shpreh se temat me natyrë seksuale janë të vështira të trajtohen nga shoqëria shqiptare.

Sociologia theksoi se ka pasur ndërgjegjësim vitet e fundit dhe denoncimet janë rritur, por kjo tregon edhe shkallën e lartë të këtij problemi.

“Mendoj se dukuria nuk është e re. Kemi vite që kërkojmë më shumë vigjilencë nga të gjithë aktorët. Sa i takon temës me natyrë seksuale, shoqëria jonë e ka të vështirë ta trajtojë, aq më tepër kur bëhet fjalë me të mitur. Sa i takon shqetësimeve që lidhen me ngacmimet seksuale në shkolla, mendoj se ai është një shqetësim që duhet trajtuar shumë seriozisht.

Sot te njerëzit shoh një lloj kurajoje për të kërkuar ndihmë. Kur rasti del në media, kjo ndodh sepse qytetari ka ezauruar çdo hallkë tjetër dhe mbetet zgjidhja e fundit. Ndërgjegjësimi që është bërë, besoj se deri diku ka filluar të japë efektet e veta dhe kjo shihet te denoncimet e larta, të cilat tregojnë edhe shkallën e lartë të këtyre rasteve. Megjithatë, jo të gjithë qytetarët mund ta kenë këtë kurajën, sërish ka hezitim”, u shpreh Entela Binjaku, sociologe.