Kriza në kufirin me Bjellorusinë, kryeministri polak në kufi me ushtrinë, mbështetje nga BE

Përditësuar më: 9/11/2021, ora 19:46

Kriza në kufirin me Bjellorusinë, kryeministri polak në kufi me ushtrinë, mbështetje nga BE

Përditësuar më: 9/11/2021, ora 19:46

Bjellorusia nuk do të nisë një luftë me Poloninë. Kështu u shpreh presidenti Aleksandër Lukashenko duke komentuar tensionet e fundit në kufirin mes dyja vendeve, ku janë grumbulluar mijëra emigrantë që kërkojnë të hyjnë në shtetin anëtar të Bashkimit Europian.

“Nxjerrja e armëve në botën moderne është vetëvrasje. Thuaje me mua, është vetëvrasje. Lëre pastaj të ndodhë këtu, në qendër të Europës, aq më shumë me Bjellorusinë. Këtu, në këtë rrip toke, u zhvilluan të gjitha luftrat, gjithçka nisi nga këtu”, tha Lukashenko.

Rusia ka konfirmuar mbështetjen për Lukashenkon, i cili lutet që palët të mos bëjnë ndonjë veprim të gabuar sepse kjo do t’i sillte botës një luftë të tretë.

“Mos e dhëntë Zoti, që ne të bëjmë ndonjë gabim apo hap të gabuar, pasi menjëherë do fusnim Rusinë në këtë dhe është fuqia më e madhe e armatosur bërthamore. Unë nuk jam një i çmendur, e kuptoj shumë mirë se çfarë mund të sjellë kjo”, shtoi presidenti bjellorus.

Retorika e luftës apo e konfrontimit të mundshëm lindi pasi Polonia rreshtoi ushtrinë në kufirin me Bjellorusinë për të penguar valën e emigrantëve të paligjshëm duke akuzuar Minskun se ka orkestruar gjithçka si një provokim dhe se po luan me jetët njerëzore duke i përdorur ato si armë.

Varshava zyrtare nuk e përjashton mundësinë e një përshkallëzimi të armatosur, teksa kufirin e vizitoi vetë kryeministri Mateusz Morawiecki. Nga aty paralajmëroi se siguria e të gjithë Bashkimit Europian është në rrezik.

“Ne e dimë që ky është një operacion plotësisht i planifikuar dhe synon që të prishë sovranitetin në vendin tonë. Kjo është shumë e qartë për ne. E dimë mirë se po ndodh një kërkim për pikat e dobëta në kufi”, deklaroi kryeministri polak.

Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian janë vendosur në krah të aleatit të tyre, Polonisë. Masa e parë e marrë nga Brukseli është pezullimi i pjesshëm i marrëveshjes për lehtësimin e vizave me Bjellorusinë. Ndërsa po përgatiten dhe sanksione shtesë, më të rënda.