Kosova, jo pjesë e samitit të demokracisë, DASH: Nuk komentojmë pse nuk u ftuan vende të veçanta
Kosova, jo pjesë e samitit të demokracisë, DASH: Nuk komentojmë pse nuk u ftuan vende të veçanta
Departamenti Amerikan i Shtetit reagon për herë të parë për mungesën e ftesës për Kosovën, Serbinë dhe Bosnje e Hercegovinën për samitin e demokracisë.
Në një përgjigje për versionin serb të Zërit të Amerikës, një zyrtar tha se DASH nuk komenton vlerësimet e brendshme pse nuk u ftuan vende të veçanta në eventin e dhjetorit. Gjithashtu, nuk sqaroi rëndësinë e kritereve për përcaktimin e të ftuarve, por vetëm theksoi se Shtetet e Bashkuara duan një përfaqësim nga vende të rajoneve të ndryshme me karakteristika të veçanta socio-ekonomike. Në kushtet e anonimatit, zyrtari zbuloi dhe fokusin e presidentit Joe Biden në këtë samit.
“Do të kërkohet angazhim inovativ dhe i fortë për t’u mbrojtur kundër autoritarizmit, për mënyrat e trajtimit dhe luftimit të korrupsionit dhe promovimin e respektimit të të drejtave të njeriut brenda dhe jashtë vendit”, tha zyrtar i DASH për Zërin e Amerikës.
Gjithashtu nënvizoi se “samiti tregon bindjen e thellë të Presidentit Biden se demokracitë duhet të bashkohen, të mësojnë së bashku, të mbështesin njëra-tjetrën dhe të punojnë për të trajtuar sfidat më të ngutshme të botës”.
Për momentin nuk ka një numër përfundimtar të pjesëmarrësve në eventin e 9 dhe 10 dhjetorit, por media amerikane Politico publikoi një listë të përkohshme ku vihej ftesa për Shqipërinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut dhe mungesën e Kosovës, Serbisë dhe Bosnjës. Megjithatë ambasada e SHBA në Beograd ka konfirmuar që Serbia nuk do të jetë pjesë e samitit të demokracisë.