Broja në stol, një dilemë në mesfushë

Përditësuar më: 12/11/2021, ora 12:13
brojaaa 1024x576

Broja në stol, një dilemë në mesfushë

Përditësuar më: 12/11/2021, ora 12:13

Me skemën e zakonshme 3-5-2, të përqendruar në mbrojtje, por të gatshëm të shfrytëzojnë hapësirat e lëna nga anglezët. Ky është plani me të cilin trajneri Edy Reja synon të marrë rezultat pozitiv në Londër. Drejtuesi i stolit do të bëjë pak ndryshime nga ajo që është skuadra titullare.

Përpara portierit Etrit Berisha do të rreshtohen Ismajli, Kumbulla e Veseli, me këtë të fundit që zëvendëson mungesën e Gjimshitit. Në mesfushë, nga krahët do të luajnë Hysaj e Trashi, teksa rikthimi i madh është ai Gjasulës, që mungoi ndaj Polonisë pasi u infektua me koronavirus. Qendra plotësohet nga Keidi Bare, teksa dilema e vetme lidhet me aktivizimin e Bajramit përpara Çekiçit, me mesfushorin e Empolit që është në avantazh.

Armando Broja iu bashkua kuqezinjve në stërvitjen në Londër dhe mbetet nën vëzhgim. Stafi mjekësor ka njoftuar se sulmuesi mund të luajë, gjithsesi jo prej minutës së parë. Kjo bën që ylli 20-vjeçar të qëndrojë në stol, teksa titullar në repartin ofensiv do të jenë Cikalleshi dhe Uzuni.

Edhe Anglia paraqitet në këtë ndeshje me disa mungesa të rëndësishme. Megjithatë, nga yjet e “Tre Luanëve” në fushë pritet të jenë Stones, Foden, Sterling, Grealish dhe kapiteni Harry Kane.

Një ekip yjesh dhe vlerë miliona euro, por në futboll nuk fitohet thjesht me emër.