Humbja e Vetëvendosjes, Robelli: E pritshme dhe mësim i mirë, vota në politikë nuk është e mirëqenë

Përditësuar më: 15/11/2021, ora 22:14

Humbja e Vetëvendosjes, Robelli: E pritshme dhe mësim i mirë, vota në politikë nuk është e mirëqenë

Përditësuar më: 15/11/2021, ora 22:14

Vetëvendosja përjetoi një humbje të rëndësishme politike në zgjedhjet lokale të sapo përfunduara. Po për analistin Enver Robelli, kjo nuk përbën një befasi të madhe.  

“Fillimi i qeverisjes ishte i plagët, dhe mënyra sesi u menaxhua ose jo-menaxhua pandemia, i kushtoi shumë në popullaritet Vetëvendosjes. Krerët e VV kanë menduar me gjasë që entuziazmi i 14 shkurtit, e zgjedhjeve parlamentare, do t’i mbante deri në zgjedhjet lokale të tetorit”, thotë ai, i ftuar në emisionin “Debat” në A2 CNN.  

Analisti bën edhe një shembull konkret, atë më të bujshëm, që përfshin kryeqytetin tashmë në “duart” e kandidatit të LDK-së, Përparim Rama.  

“Në rastin e Prishtinës, Kurti nuk duhet ta emëronte në kabinetin e tij zotin Vitia, i cili ishte i popullarizuar dhe nuk duhej të kalonte në “ferrin” e menaxhimit të pandemisë. Asnjë ministër i Shëndetësisë në botë ishte në këtë moment i popullarizuar, sepse të paktën kanë kundër gjysmën e opinionit publik. Albin  Kurti ngurroi deri në momentin e fundit, kur gara u ngushtua shumë dhe nuk është sekret që kandidati i LDK-së u mbështet edhe nga parti të tjera, me qëllimin e kuptueshëm për të goditur qeverinë Kurti”.

Në Prishtinë çaloi strategjia, ndërkohë që sipas Robellit në raste të tjera mungoi kandidati ose situata e brendshme.   

“Vetëvendosje kishte problem me kandidatët, në Mitrovicë kandidoi me një figurë aspak popullore. Nuk do të ishte mëkat të tentoheshin aleanca, përshembull me LDK-në, siç ndodhi në Junik. Në Prizren VV ka probleme të brendshme, ku nuk mungojnë intrigat, dhe njerëzit lodhen me këto, ky është mësim i mirë për VV, se asnjë gjë në politikë është e vetëkuptueshme, aq më shumë vota”, thotë Robelli.  

Sipas tij, fitorja e bujshme e partisë së Albin Kurtit në zgjedhjet e përgjithshme i hapi sytë partive të tjera. “Fitorja e 14 shkurtit ka shkaktuar një tërmet politik në partitë e tjera, të cilat kanë kuptuar që nuk mund të shkonin larg me lidershipet e vjetra, dhe po bëjnë përpjekjet e para për t’u reformuar. Nuk ka distancim të qartë, në prapavijë ende e mbajnë pushtetin njerëzit që e kanë shkatërruar vendin vitet e fundit, por u krijua gjithsesi një imazh me liderë të rinj, si Abdixhiu,  që bashkë me plogështinë e VV krijoi një momentum që solli këto rezultate”.

Një nga arsyet mund të gjenden edhe tek elektorati i presidentes Vjosa Osmani, që e ndihmoi Vetëvendosjen në shkurt por që mund ta ketë braktisur sot.

“Është shumë e mundshme që pasuesit e zonjës Osmani të jenë drejtuar sërish tek LDK, Osmani e ka të ndaluar të merret me parti politike dhe nuk shoh brenda asaj lëvizje njerëz me ardhmëri politike. Edhe për këtë arsyeje,  VV tentoi të shtynte zgjedhjet, diçka që ishte e pandershme”, shton Robelli.