Nga ëndrra në qesharakë, nuk plotësohet as protokolli i UEFA-s për Shqipëri-Andorrë

Përditësuar më: 15/11/2021, ora 11:25
kombetarja stervitje nentor tropikal 869x579

Nga ëndrra në qesharakë, nuk plotësohet as protokolli i UEFA-s për Shqipëri-Andorrë

Përditësuar më: 15/11/2021, ora 11:25

Humbja 5-0 në Wembley me Anglinë nuk shërbeu vetëm për të shkatërruar ëndrrën. Nga shanset për të luajtur në fazën play-off të Botërorit, situatë në Kombëtare shndërrohet në qesharake. Gjithçka për faj të mungesës së një plani rezervë, duke bërë që Shqipëria të ketë vetëm 20 lojtarë në dispozicion për ndeshjen e fundit kualifikuese me Andorrën.

Shifra nuk plotëson protokollin e UEFA-s, sipas të cilit, në situatën pandemike, një skuadër duhet të ketë 23 futbollistë në dispozicion, mes titullarëve dhe lojtarëve të stolit. Për sfidën e sotme me Andorrën, kuqezinjtë duhet të bëjnë pa Cikalleshin, Gjasulën dhe Ismajlin të pezulluar me kartonë. Kumbulla e Bare u dëmtuan me Anglinë, teksa probleme kanë edhe Veseli e Balaj, me këtë të fundit që nuk u stërvit me grupin. Ata i shtohen mungesave të Brojës e Gjimshitit.

Në situatën e krijuar dhe me fare pak lojtarë në dispozicion, Edy Reja duhet të improvizojë me formacionin. Strakosha do të luajë në portë në rreshtimin 3-5-2, ku mbrojtja është totalisht e ribërë, me Mihaj, Dermaku e Hoxhallari. Në mesfushë, Bajrami do të jetë përpara Ramadanit e Laçit, me Hysajn e Lenjanin nga krahët.

Nuk përjashtohet as opsioni i aktivizimit të Roshit, me Hysajn që në atë do të kthehej në mbrojtje, për të lënë të paktën një alternativë në stol në këtë repart. Sulmi do t’i besohet dyshes Uzuni-Seferi, teksa Andorra mund të jetë edhe shansi që Ernest Muçi të debutojë me Kombëtaren A.