Rama: Nuk të besojnë as ata që ke rreth e rrotull. Basha: Ty të besojnë vetëm kriminelët

Publikuar më: 15/11/2021, ora 12:30

Rama: Nuk të besojnë as ata që ke rreth e rrotull. Basha: Ty të besojnë vetëm kriminelët

Publikuar më: 15/11/2021, ora 12:30

Kryeministri Edi Rama i tha kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, se atë nuk e besojnë as kolegët deputetë të PD-së, e jo më shqiptarët.

“Mirë, dakord. The se ne nuk na beson më njeri. Po kë besojnë shqiptarët?! Ty?! Sa nga këta rreth e rrotull të besojnë ty?! Sa?! Sipas teje? Bëj një reflektim, shikoji mirë… Dhe ty more zotëri nuk të besojnë gjysma e këtyre që ke këtu në sallë, e pretendon të të besojnë shqiptarët. Mbahu mër burrë, mos e lësho veten fare se u bërë komplet…”, tha Rama.

Kreu i PD-së iu kundërpërgjigj duke thënë se Rama ka vetëm besimin e kriminelëve. “A ka socialist të ndershëm në Shkodër që nuk e dinë se kriminelët janë shefat e vërtetë aty? Apo në Elbasan, në Durrësin e Vangjush Dakos… Pushteti grabitet me kriminelë, që të vazhdojë grabitja me të ashtuquajturin buxhet. Borxhi është rritur, taksat janë rritur, çmimet janë rritur. Ku shkojnë paratë? Rama ka vetëm besimin e kriminelëve, madje mosbesimin, sepse edhe ata sjellin këtu në Kuvend njerëzit e tyre, sepse nuk i besojnë. Dhe çfarë bën? I kundërvihet një partie që ka ardhur me votat e pastra”, tha Basha.

Seanca ku po diskutohet buxheti për vitin e ardhshëm është shndërruar në një arenë debatesh mes kryeministrit dhe kryetarit të opozitës, të cilët kanë folur për pjesën më të madhe të kohës që nga nisja e punimeve.

Në buxhetin e vitit 2022, janë parashikuar 5,2 miliardë lekë të ardhura, ndërsa niveli i shpenzimeve pritet të jetë më i madh, duke thelluar deficitin. Biznesi është shprehur kundër paketës fiskale që shoqëron buxhetin, pasi sipas tyre rrit kostot dhe dobëson prodhimin vendas.