Dialogu Kosovë-Serbi, Borrell fton Kurtin dhe Vuçiç në takim para fundit të vitit

Përditësuar më: 16/11/2021, ora 11:55
Kurti Vucic Borell  1024x576

Dialogu Kosovë-Serbi, Borrell fton Kurtin dhe Vuçiç në takim para fundit të vitit

Përditësuar më: 16/11/2021, ora 11:55

Shefi i politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha të hënën se u ka dërguar ftesë kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vucic, për një takim para fundit të vitit.

“Shpresoj të kemi edhe një takim të nivelit te lartë mes Beogradit dhe Prishtinës, para fundit të vitit”, deklaroi Borrell.

Ai shtoi se ministrat e Jashtëm presin që Prishtina dhe Beogradi të përmbushin marrëveshjet e arritura në bisedime dhe të hedhin hapa të tjerë drejt arritjes së një ujdie gjithëpërfshirëse.

Delegacionet e të dyja palëve pritet të takohen të martën për të diskutuar mes të tjerash zbatimin e marrëveshjes për përdorimin e targave të automjeteve, mospajtimet rreth të cilave çuan në tensione të larta në fillim të vjeshtës.

Në takimin e ministrave të Jashtëm, ditën e hënë, u diskutua edhe për situatën në Bosnjë, por jo për çështjen e hapjes së negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Megjithatë, Borrel tha se ka shpresë që kjo mund të ndodhë para fundit të vitit.