Situata në PD, Kadilli: Tashmë kemi “de facto” dy parti, secili po mendon për veten e vet

Përditësuar më: 16/11/2021, ora 15:34

Situata në PD, Kadilli: Tashmë kemi “de facto” dy parti, secili po mendon për veten e vet

Përditësuar më: 16/11/2021, ora 15:34

Tashmë kemi dy data për Kuvendin e Partisë Demokratike, më 11 dhjetor për Sali Berishën, dhe 18 dhjetor për Lulzim Bashën. Për Fatbardh Kadillin, tashmë iniciator i Iniciativës Demokratike, por edhe ish-kandidat për lidershipin e partisë më të madhe në opozitë, kjo është e papranueshme.

 “Ngjarja është e shëmtuar, e dhimbshme për demokratët, nga dje kemi “de facto” partinë e ndarë, me dy kuvende, një e Berishës dhe një të Bashës. Unë dua t’i flas të dyja palëve. Është e dukshme që ka më shumë zoti Berisha, por një i vetëm që të jetë nga ana tjetër, ne nuk mund ta lëmë të vetmuar”.

Por kritika Kadilli ka për të dy protagonistët e përçarjes në PD. “Mesazhi më i hidhur është për demokratët se kanë besuar se të dy liderët do të kishin përgjegjshmërinë që mos ta çonin situatën deri këtu, pavarësish kush ka të drejtë. Moralisht, mund ta ketë të drejtë Berisha, ligjërisht Basha, por tani ne kemi dy parti, dy kuvende. Të dy panë zgjidhje për veten e tyre, për projektin e tyre, që nuk i përgjigjet të gjithë demokratëve. Kam kërkuar disa herë që Basha të jepte dorëheqjen, sepse është humbës përsëritës, dhe 4 muaj që u zgjodh ju përça partia. Pjesa më e madhe e atyre që janë në kryesi nuk janë persona me dinjitet politik, që të bëjnë një betejë politike. Janë anonimë politikë, Basha sot është i rrethuar nga persona që më shumë i prishin punë.

Ndërkohë, Berisha duhej të vetëpërmbahej nga rimarrja e kontrollit. As Basha as Berisha nuk janë zgjidhje, as njeri as tjetri nuk bëhen kryeministër, nuk ia kanë arritur bashkë, jo më të ndarë”, thotë Kadilli, i ftuar në A2 CNN.

Ai nuk dyshon në legjitimitetin e firmave të paraqitura nga Berisha. “Nuk dyshoj te firmat, përtej disa firove të mundshme, dhe nuk dyshoj në seriozitetin e personave që po merren me këtë punë. Berisha nuk i siguron asgjë, por i ka hequr frikën për të folur kundra.

Por Basha nuk u bë peng më 8 shtator, as humbës. Berisha e ka ditur këtë, por për agjendën e tij politike, krejtësisht legjitime, i ka lënë demokratëve të vuanin me Bashën. Po ku shkojmë ne me këtë, kishim shansin më 13 qershor, dhe Berisha zgjodhi të votoi Bashën, ashtu si edhe të tjerë. Sot do të kishim një proces me tjetër rezultat”, deklaron Kadilli.