Visar Ymeri: Kurti të zbresë me këmbë në tokë, me disa kandidatë ka ofenduar qytetarët dhe aktivistët e Vetëvendosjes

Përditësuar më: 16/11/2021, ora 14:23

Visar Ymeri: Kurti të zbresë me këmbë në tokë, me disa kandidatë ka ofenduar qytetarët dhe aktivistët e Vetëvendosjes

Përditësuar më: 16/11/2021, ora 14:23

Ish-kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe një prej bashkëpunëtorëve të dikurshëm më të ngushtë të Albin Kurtit, tha se kryeministri i Kosovës ka shumë punë për të bërë pas humbjes së dukshme në zgjedhjet lokale.

Sipas Ymerit, ndryshimet në PDK dhe LDK ia kanë bërë të pamundur Kurtit që të akuzojë ish-liderët e këtyre partive. “Për një kohë të gjatë, akuzat kanë gjetur rezonancë mes qytetarëve, por jo më. Dy liderët e rinj të parive nuk ishin të sulmueshëm”, tha Ymeri i ftuar në Ditarin e drekës në A2 CNN.

Ymeri thotë se gjatë këtyre muajve të qeverisjes, Vetëvendosje nuk ka treguar gatishmëri për t’i zbatuar premtimet me të cilat mori pushtetin, që kryesisht përqendroheshin te lufta ndaj korrupsionit dhe rritja e vendeve të punës. “Qytetarët janë të pakënaqur për qeverisjen Kurti, pasi në shumë aspekte të kritikuara më herët, i ka ngjarë qeverisjeve të kaluara. Vota që bëri Kurtin kryeministër nuk ishte mbështetje për Vetëvendosje, por ndëshkim për kundërshtarët. Ndërsa në zgjedhjet lokale qytetarët kanë qenë të kënaqur nga qeverisja vendore. Në disa raste, si në Mitrovicë dhe Prizren, ai i ka ofenduar qytetarët dhe aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët nuk janë përfshirë në fushatë”, tha Ymeri.

“Kurti duhet të zbresë me këmbë në tokë, duhet të kuptojë që është një prej liderëve që mund të ketë mbështetje në një moment, por mund ta humbë atë. Pavarësisht se i ka 50% të votave në një nivel qendror duhet të bashkëpunojë me partitë opozitare. Duhet të rrisë llogaridhënien ndaj qytetarëve, të ndërpresë tendencën për të sulmuar mediat dhe duhet të përmirësojë ndjeshëm marrëdhëniet me Republikën e Shqipërisë, veçanërisht me kryeministrin Rama, të cilat janë në një nivel jashtëzakonisht të ulët”.