Me shapka me gisht si 13 vite më parë, Dani Alves prezantohet te Barcelona

Përditësuar më: 17/11/2021, ora 15:59

Me shapka me gisht si 13 vite më parë, Dani Alves prezantohet te Barcelona

Përditësuar më: 17/11/2021, ora 15:59

Dani Alves u prezantua sot në Camp Nou pas zyrtarizimit të rikthimit të tij të befasishëm te Barcelona, ku do të luajë nën urdhrat e ish-shokut të skuadrës Xavi. 38-vjeçari ka fituar 6 tituj kampion te kjo skuadër dhe 3 Champions League, duke qenë një prej lojtarëve më të rëndësishëm të epokës Guardiola.

Tani, 38-vjeçari do të përpiqet të ndihmojë Xavi-n të ngjisë skuadrën përsëri në nivelet e dikurshme, pas nisjes dramatike të sezonit dhe shkarkimit të Ronald Koeman.

Por ajo që ra në sy gjatë prezantimit ishte fakti që edhe pse i veshur me kostum, mbrojtësi brazilian zbriti në fushë me shapka me gusht, njëlloj siç kishte bërë 13 vite më parë gjatë prezantimit të vitit 2008. Më pas ai shkeli zbathur në fushë dhe këputi disa fije bari. “Mbajnë era Camp Nou, mbajnë era trofe e kupa”, tha ai.

Veterani, i cili pasi u largua nga Barcelona luajti për disa klube të rëndësishme, si Juventus dhe Paris SG, shpjegoi edhe veshjen e shapkave. “Disa gjëra nuk ndryshojnë asnjëherë”, tha ai. “Është kënaqësi të jesh këtu, është një nder që rikthehem. Kam ardhur për të bërë gjëra të mëdha, sepse ky klub është ndërtuar pikërisht për këtë arsye”.

Më parë, Alves ka mbajtur numrin 22 te Barcelona, por këtë herë klubi vendosi t’i japë numrin 8. Para se të firmoste me katalanasit, braziliani luante në vendlindje me Sao Paulon.