“Skemat shtetërore do të garantojnë gjithmonë pagesën e pensioneve”

Përditësuar më: 17/11/2021, ora 21:25

“Skemat shtetërore do të garantojnë gjithmonë pagesën e pensioneve”

Përditësuar më: 17/11/2021, ora 21:25

Naim Hasa, ekspert për çështjen e pensioneve, deklaroi në studion e “A2 Business” në A2 CNN se “skemat shtetërore gjithmonë do të ekzistojnë dhe do të garantojnë pagesat e pensioneve”, por shtoi se duhet të bëhet e detyrueshme edhe skema e pensioneve private.

“Reforma që u bë në vitin 2014 nuk ishte e plotë, ishte reformë për të rregulluar disa elementë të skemës së sigurimeve shoqërore, që të ulej sadopak ai deficit buxhetor që mbarte me vete, siç ishte për shembull ngritja graduale e moshës së daljes në pension. Reformë e plotë do të ishte vendosja e një sistemi vetëkapitalizues të skemës së pensioneve. Problemi i pensioneve sot është në të gjithë globin. Por, bota ka vendosur sisteme të alternuara: skema shoqërore të detyrueshme dhe skema private. Ne kemi një sistem me vetëm një kolonë: atë shtetëror. Duhet të jetë e detyrueshme edhe pjesa private. Kjo presupozon ndarjen e kontributit shoqëror në dy pjesë: një kontribut shoqëror që derdhet për të funksionuar skema për të mbajtur pensionistët dhe një kontribut vetëkapitalizues, që kur të dalë në pension, të marrë dy pensione. Në të gjitha vendet e Evropës, skemat funksionojnë me 3 apo më shumë kolona. Vetëm Shqipëria, Bosnja dhe Serbia kanë një sistem që bazohet në një kolonë”, tha Hasa.

“Skemat shtetërore gjithmonë do të ekzistojnë dhe do të garantojnë pagesat e pensioneve. Problemi është se këto pagesa nuk do të kenë prioritet rritjen ekonomike të pensionistit. Ne sot e kemi vetëm me një këmbë sistemin e sigurimeve shoqërore, vetëm me shtetin”, shtoi eksperti.