Tragjedia në Fier, Demi: Fatkeqësisht nuk do të jetë e fundit. Dënimi me vdekje nuk është zgjidhja

Përditësuar më: 17/11/2021, ora 14:39

Tragjedia në Fier, Demi: Fatkeqësisht nuk do të jetë e fundit. Dënimi me vdekje nuk është zgjidhja

Përditësuar më: 17/11/2021, ora 14:39

Ngjarja tepër e rëndë e një ditë më parë në Fier, ku një fëmijë 8-vjeçar u gjet i pajetë në oborrin e banesës së fqinjit të tij ka tronditur të gjithë vendin. Një ngjarje në kufijtë e çnjerëzores, por e përsëritur ndër vite, që ndodhi pikërisht teksa javët e fundit është diskutuar së tepërmi mbi dhunën ndaj të miturve.

Autori i dyshuar ka pranuar krimin pas arrestimit. Ai rezulton i dënuar më parë për pengmarrjen e një të miture, një rast që fatmirësisht nuk kishte përfunduar në tragjedi. Por pavarësisht profilit të autorit të dyshuar të ngjarjes, sjelljes së tij në komunitet dhe reagimit të fqinjëve, roli i institucioneve është vendimtar për të shmangur përsëritjen fenomenit.

“Nuk është rasti i parë dhe fatkeqësisht nuk do të jetë as i fundit. Së fundmi, kemi përkeqësim të kësaj situate”, tha mjeku psikiatër, Neli Demi, në studion e Ditarit në A2 CNN. Sipas tij, rol vendimtar në kryerjen e krimit makabër ka luajtur edhe gjendja familjare e Klodian Çalamanit.

Banorët e zonës thanë për A2 CNN se ai jetonte vetëm, me baba të vdekur dhe nënën e motrën në Maqedoni, ndërsa dy vëllezër të tjerë ishin në burg në Greqi. “Kur përshkruhet autori i dyshuar kemi të bëjmë me një individ totalisht të margjinalizuar, gjendja sociale ekonomike e të cilit sigurisht është terren mjaft pjellor për kryerjen e këtyre krimeve. Janë individë që e ndjejnë se nuk kanë çfarë humbasin”, tha Demi.

Reagimi i parë i opinionit publik pas këtij rasti, por edhe rasteve të mëparshme të ngjarjeve tragjike të ngjashme, ka qenë thirrja për rikthimin e dënimit me vdekje, i shfuqizuar përfundimisht për të gjitha veprat penale në vitin 2007. “Është kërkuar rikthimi i dënimit me vdekje, por nuk është kjo zgjidhja”, tha Demi. “Autori i dyshuar ka kryer më parë krime dhe është dënuar aq sa është dënuar, por ndërhyrjet ndëshkuese asnjëherë nuk janë të mjaftueshme. Çfarë ndodh me të më pas është gjithashtu e rëndësishme”.

“Riintegrimi në shoqëri është i vështirë për personin që ka kryer vepra të rënda penale dhe kërkon vëmendje, por kemi para që deri në këto momente kemi parë të mos japë efekt”, tha psikologia Enertila Bekteshi në Ditarin e A2 CNN.