Si ndikon eurobondi në nivelin e borxhit? Meka përgjigjet në “Business News”

Përditësuar më: 19/11/2021, ora 20:23

Si ndikon eurobondi në nivelin e borxhit? Meka përgjigjet në “Business News”

Përditësuar më: 19/11/2021, ora 20:23

Elvin Meka, ekspert i tregjeve financiare, komentoi në “Business News”, në A2 CNN, eurobondin prej 650 milionë eurosh që mori qeveria.

“Eurobondi ka disa risi. E para, kemi të bëjmë me një eurobond 10-vjeçar dhe duke gjykuar nga niveli 3,5% i interesit, investitorëve i është ofruar me zbritje ky eurobond. Gjykuar nga kushtet që kalohet sot në tregjet ndërkombëtare dhe aftësisë së Shqipërisë për të paguar këto borxhe, them që jemi jo në nivele optimale fare, por në nivele të mira”, theksoi Meka.

Kur u pyet se si do të ndikojë eurobondi në nivelin e borxhit, Meka u përgjigj: “Aspekti kryesor ka të bëjë me normën e interesit. Për të marrë një borxh nuk është problem, më shumë është aftësia që ke për t’i shërbyer borxhit. Nivelet mbi 80% shërbejnë si sinjal kujdesi për investitorët, që nisin të bëhen më të vëmendshëm, por investitorët shohin edhe historikun e shlyerjes së pagesave dhe vendi ynë ka qenë serioz në këtë pjesë. Gjithashtu, ka rëndësi edhe ritmi i rritjes ekonomike”.

Në lidhje me ndikimin që mund të ketë ky Eurobond te kursi i këmbimit, Meka shpjegoi: “Nëse një pjesë e mirë do të shkojë për pagesa koncesionesh dhe shlyerje detyrimesh të borxheve të tjera, nuk besoj se do të ketë ndikim. Mund të ketë goditje, por që mund të absorbohet për 2-3 javë”.