Asambleja zgjedhore e shkurtit 2022, Duka i pasigurt për rikandidimin në krye të FSHF

Përditësuar më: 20/11/2021, ora 16:20

Asambleja zgjedhore e shkurtit 2022, Duka i pasigurt për rikandidimin në krye të FSHF

Përditësuar më: 20/11/2021, ora 16:20

Njëzet vjet në krye të futbollit shqiptar. Një rrugëtim i shoqëruar me polemika dhe akuza. Pas pesë mandateve në federatë, Armand Duka lë në dilemë vazhdimësinë. Teksa nuk janë zbatuar propozimet e UEFA-s për kufizim të mandateve të drejtuesve të federatave, për momentin ai refuzon t’i përgjigjet çështjes së rikandidimit. “Në fakt, kur të vendos për t’u zhvilluar asambleja do ta jap këtë përgjigje”, tha ai në një konferencë për mediat.

Beteja e futbollit do të varet nga rezultati i 53 votave.26 delegatë votojnë nga klubet e Superiores dhe Kategorisë së Parë, dy nga Shoqatat e Trajnerëve dhe Mjekëve, teksa 25 të tjerë, si pjesë e Shoqatave Rajonale të Futbollit.

Pjesa më e madhe e tyre në konflikt të pastër interesi, sepse drejtohen nga punonjës të federatës, një shoqatë është e paregjistruar nga Gjykata si ajo e Lezhës, teksa ka edhe shoqata që nuk mblidhen kurrë dhe janë pa drejtues si Gjirokastra e Fieri. “Të gjitha shoqatat janë të regjistruara dhe nuk do të ketë asnjë veprim që të mos jetë konform rregullave. Nuk do të cenohet asnjë gjë që parashikon statuti i FSH-së”, tha Duka.

Asamblenë zgjedhore e federatës së futbollit do të zhvillohet në shkurt të vitit 2022.