Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 60%
  • Zonat malore 20%
  • Qendrat historike 20%

Vllaznia dominon Kastriotin, Partizani dhe Laçi ndajnë pikët

Nga A2 CNN
20 Nëntor 2021, 22:18 | Futboll

Ndeshjet e para të Superiores flasin për një dominim total të Vllaznisë në Shkodër kundër Kastriotit , dhe një barazim në “Air Albania” që nuk trondit ende shpresat e Partizanit për vendet e larta të Kampionatit.

“Demat” barazojnë 1-1 ndeshjen me Laçin, pas një gare me nervozizëm dhe raste të shpërdoruara. Miqtë kurbinas kalojnë në avantazh falë penalltisë të dhënë nga VAR në minutën 32 dhe i realizuar nga Julian Shehu, rezultat me të cilin mbyllet pjesa e parë.

Në pjesën e dytë, Partizani shpërdoron raste të shumta veçanërisht me Stenio Zhunior dhe Ergys Kaçen, ndërkohë që një gol i Laçit kësaj radhe anulohet nga VAR.

Barazimi vjen në minutën 79 nga Tedi Cara, që devijon një goditje të brazilianit Zhunior, por më pas kryeqytetasit nuk arrijnë të përmbysin rezultatin duke shkuar në kuotën e 9 pikëve, 11 më pak se Tirana që ende duhet të luajë.  

Ndërkohë, më herët Vllaznia dominonte ndeshjen ndaj Kastriotit në “Loro Boriçi”, me rezultatin 3-1, falë golave të Aralicës dhe dopietës së Ardit Hoxhës, ndërkohë që goli krutan vjen nga Ajazi.

Rezultati mund të ishte edhe më i thellë, dhe u vu në pah diferenca teknike mes ekipeve, veçanërisht me performancën edhe njëherë mbresëlënëse të Liridon Latifit. Me fitoren, Vllaznia kalon Laçin dhe ndodhet në vend të tretë, me 13 pikë.

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani