“Basti” i Jose Mourinho habit Italinë, 18-vjeçari shënon dygolshin spektakolar

Përditësuar më: 22/11/2021, ora 10:07
Afena felix 1280x720

“Basti” i Jose Mourinho habit Italinë, 18-vjeçari shënon dygolshin spektakolar

Përditësuar më: 22/11/2021, ora 10:07

Futbolli ndërkombëtar njihte një Felix, talentin portugez Joao Felix që luan tashmë me Atletico Madrid, pasi u ble për një shifër rreth 126 milionë euro, ende e pajustifikuar me performancën e tij spanjolle.

Por së shpejti, një tjetër Felix mund të pushtojë vëmendjen e klubeve më prestigjioze në botë. Bëhet fjalë për Felix Afena-Gyan, 18-vjeçarin ganez që nga një bast i trajnerit Mourinho po shndërrohet në yllin e Romës.

Pothuajse asnjë nuk e njihte djaloshin deri pak javë më parë, ku ishte dalluar vetëm për disa gola tek ekipi zinxhir i kryeqytetasve italianë. Por më 27 tetor, ndaj Cagliarit, tekniku portugez e hodhi atë në fushë në një moment të vështirë të ndeshjes, ku u dallua menjëherë për një asist dhe një qasje agresive.

Dje, Mourinho i jep një tjetër shans, kur ndeshja me Genoa e Shevchenkos ishte në barazim, dhe mungonin vetëm 10 minuta. Felix hyn ndërkohë që talenti italian Zaniolo mbetet në stol, dhe të gjithë ishin gati të sulmonin trajnerin për një guxim të tepruar.

Por ganezi nuk e la “në baltë” Mourinhon. Pak minuta nga hyrja, si një veteran i fushës, realizon i ftohtë një gol pas aksionit të bukur të Mkhitaryan, dhe në sekondat e fundit shënon me një aksion personal, një goditje nga më shumë se 20 metra që merr një hark të pakapshëm.

Flet vetëm anglisht, Felix, por buzëqeshja e tij ka bërë për vetë të gjithë shokët e tij, falë teknikës dhe një shpejtësie të pazakontë që i vjen nga një e kaluar si atlet.

“I premtova një palë këpucë nga ato të kushtueshmet në qoftë se do të shënonte, tani duhet t’ia blej, edhe pse kushtojnë 800 euro”, deklaroi Mourinho duke buzëqeshur për bastin e fituar. “Me shumë gjasa, së shpejti, djaloshi ato këpucë do të mund t’i paguajë vetë.”