Hueyda El Sayed, një artiste poliedrike dhe e angazhuar

Përditësuar më: 23/11/2021, ora 12:05

Hueyda El Sayed, një artiste poliedrike dhe e angazhuar

Përditësuar më: 23/11/2021, ora 12:05

Vdekja e papritur e Hueyda El Sayed ka lënë një shije të hidhur në publikun shqiptar, jo vetëm për moshën e saj të re, por edhe për dashurinë që publiku kishte për balerinën dhe moderatoren e disa prej programeve më të ndjekura të televizionit shqiptar, duke filluar nga vitet ’90.   

Kurioziteti fillestar për artisten me emër të huaj dhe profil ekzotik i la vend vlerësimit për aftësitë e saj në fusha të ndryshme të artit dhe të mediave.  

Lindur në Tiranë, Hueyda ishte bija e një shqiptareje dhe e një sudanezi të ardhur në Shqipëri në vitet ’70, për të studiuar në fakultetin e Gjeologjisë. Rrethanat politike bënë që babai i saj të transferohej i vetëm në Libi, dhe që ajo ta takonte vetëm në moshë madhore, pas rënies së regjimit.

Padyshim, fillimi i karrierës televizive për të përkon me pjesëmarrjen në emisionin “12 vallëzime pa një të shtunë”, që u pasua nga roli i saj gjithmonë e më i shpeshtë si moderatorë, por edhe si prezantuese lajmesh.

Më pas, ajo transferohet në Paris, ku vijon karrierën artistike në fusha të ndryshme, nga dashuria e parë, baleti dhe deri tek arti pamor. Me studimet e saj në marrëdhënie ndërkombëtare, ajo bashkon artin me çështjet sociale, veçanërisht ato që kanë të bëjnë me emigracionin dhe trafikimin e qenieve njerëzore.

Ajo nuk harron gjithsesi vendlindjen, dhe herë pas here merr pjesë në jetën kulturore shqiptare, edhe si këngëtare. Mori pjesë në vitin 2003, në Netët e Klipit Shqiptar 2 me këngën “Mos U Verbo”, në Këngën Magjike 2003 me “Ndërro” dhe në Top Fest 2 me këngën “Ti Harron”.

Prej disa vitesh, jetonte në Luksemburg, dhe historinë e saj të veçantë e kishte përshkruar artistikisht në veprat  “Ngjyra e lëkurës sime” dhe “Maska e zemrës”.